Kurti: Serbia shkeli Marrëveshjen e Kumanovës, NATO ta dënojë këtë akt agresioni
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Prespës për Dialog (PFD) në panelin e titulluar “Rrugët drejt progresit”, ku ishte panelisti i vetëm, raporton Anadolu.
Kryeministri Kurti foli rreth zhvillimeve të fundit dhe përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, incidentin me tre policët kosovarë që u kapën nga forcat serbe, propozimet për zgjidhjen e statusit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe çështje të tjera.
Duke i përshkruar ngjarjet e mëhershme që çuan në përshkallëzimin e situatës, ai rikujtoi se gjithçka filloi me dorëheqjen “me urdhër nga Beogradi” të mbi 500 policëve serbë dhe katër kryetarëve të komunave në veri të vendit.
“Sot në mëngjes mora lajmin se dhjetëra protestues në Leposaviq donin të hynin në ndërtesën ku ndodhet kryetari i komunës. Sigurisht që mund të hysh në ndërtesë dhe të bëhesh kryetar komune, por për këtë nevojitet një raund tjetër zgjedhjesh, e jo një turmë e dhunshme. Pas ultimatumit të policisë sonë që ndodhet në këtë ndërtesë, këta ekstremistë u tërhoqën dhe nuk hynë në ndërtesë”, tha Kurti.
Ai u shpreh se për të mbajtur zgjedhje të parakohshme lokale, duhet përgatitur situatën në terren përmes sundimit të ligjit.
Kurti përsëriti se nuk do ta dorëzojë Republikën në duart e milicive fashiste, ekstremistëve të dhunshëm apo grupeve kriminale.
Kryeministri i Kosovës gjithashtu tha se dëshiron bashkëpunim të mirë me komunitetin serb në Kosovë, por shtoi se Beogradi zyrtar është një çështje tjetër.
“Unë dua që serbët t’i kenë të gjitha të drejtat, do t’i dëgjoj të gjitha kërkesat dhe nevojat e tyre, por nuk mund t’ia kompensoj Beogradit zyrtar humbjet që i janë shkaktuar Serbisë si shtet nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Kjo është një çështje krejtësisht tjetër”, tha Kurti.
Duke theksuar se Kosova është partner i Bashkimit Evropian (BE), SHBA-së dhe NATO-s, Kurti falënderoi Departamentin amerikan të Shtetit për faktin që kërkoi lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve kosovarë.
“Fillimisht është e nevojshme që këta policë të kthehen, por në të njëjtën kohë duhet që bashkësia ndërkombëtare të dënojë ashpër dhe qartë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës sepse me rrëmbimin e tre policëve tanë, Serbia ka shkelur edhe Nenin 4 të marrëveshjes ushtarako-teknike, Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999. Mendoj se NATO duhet të dënojë shkeljen e Marrëveshjes së Kumanovës nga Serbia me këtë akt agresioni ndaj Kosovës dhe të kërkojë kthimin e kësaj zone të sigurisë tokësore, e cila është 5 km në territorin e Serbisë”, tha Kurti.
Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar midis qeverisë së atëhershme të Jugosllavisë dhe KFOR-it, forcave paqeruajtëse të NATO-s, i dha fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s në Serbi.
– Kurti: KFOR të vendoset në veri
Kurti gjithashtu tha se respekton letrën e dërguar para disa vitesh nga ish kryeministri kosovar Hashim Thaçi drejtuar NATO-s, ku thuhet se Ushtria e Kosovës nuk do të vendoset në veri të lumit Ibër, por theksoi se kjo ka shkaktuar një vakum të sigurisë.
“Ky vakum duhet mbushur, jo nga organizatat kriminale apo agjencitë shtetërore serbe të ushtrisë dhe xhandarmërisë që bëjnë inkursione në Kosovë, por së paku nga KFOR-i dhe NATO-ja. Pra, unë kërkoj që të kompensohet ky vakum në veri sepse ne kemi nevojë që kufijtë tanë të mbrohen”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës kujtoi se ka propozuar që modeli kroat për komunitetet të vlejë edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai theksoi se nuk mund të ketë propozime pa pasur paraprakisht marrëveshje për parimet dhe frymën e atyre draft-propozimeve.
– Kurti e komenton si “të çuditshme” ftesën e Borrellit për takim të nivelit të lartë
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse do të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Kurti tha se akoma nuk ka vendosur në lidhje me këtë.
Duke theksuar se parimisht është shumë i interesuar për takimet e niveleve të larta, Kurti tha se ka diçka të çuditshme në këtë ftesë, pasi ajo vjen pas incidentit me policët kosovarë në kufi.
“Në lidhje me thirrjen e fundit të zotit Borrell për të pasur një takim në Bruksel, më duket pak e çuditshme sepse kur kërkova javën e kaluar të takohesha në Bruksel, Borrell më tha se së pari ne kemi nevojë për deeskalim. Menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësitë speciale serbe, Borrell kërkon një takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i lartë sa malet, unë kam një ftesë për të shkuar në një takim të nivelit të lartë, ndërsa kur unë kërkova më parë, mu tha se fillimisht kemi nevojë për deeskalim”, tha Kurti.
Duke theksuar se nuk ka vendosur akoma nëse do të marrë pjesë në takim, ai tha se do ta informojë Borrellin dhe opinionin në kohë, duke marrë parasysh se ftesa për takim është për javën e ardhshme.
Me mbajtjen e panelit rinor, sot përfundon edicioni i tretë i Forumit të Prespës për Dialog (PFD).