Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti të premten vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

BE-ja vendosi masat ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Por, Kurti gjatë mbledhjes së ekzekutivit tha se institucionet e Kosovës “nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës” në veri, por ulja e tensioneve në atë zonë “ishte pikërisht meritë e institucioneve” të shtetit.

Ai tha se pas vendosjes së masave ndëshkuese, që do të hiqen krejtësisht në fund të janarit dhe do t’i mundësojë vendit të fitojë miliona euro ndihmë financiare, Kosova u përballë me dy sulme, në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, dhe në nëntor të vitit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

Për të dy sulmet, Kurti përsëriti qëndrimin se ka prova për përfshirjen e shtetit të Serbisë.

“Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik. Me gjithë këto, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me BE-në. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, theksoi ai.

Duke folur për masat, ai kritikoi partitë që mandantin e kaluar ishin në opozitë, që nuk votuan në nëntor Planin e Rritjes dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, para se Kuvendi të shpërndahej.

“Republika e Kosovës, masat më të mëdha financiare, nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare”, tha Kurti.

Partitë opozitare kishin refuzuar që të merrnin pjesë në seancën e thirrur atëbotë nga partia e Kurtit, duke argumentuar se Qeveria në detyrë po përdorte këto çështje si “instrument të lojërave të saj politike”.

Mungesa e konsensusit për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit, çoi në shpalljen e zgjedhjeve të reja, që mbahen më 28 dhjetor.

Përveç masave ndëshkuese të BE-së, Qeveria e udhëhequr nga Kurti është përballur me kritika nga Shtetet e Bashkuara për shkak të disa vendimeve në veriun e shtetit, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe, ndërmarrje publike që funksiononin në sistemin serb.

Në veri, po ashtu është ndaluar përdorimi i dinarit serb për kryerjen e pagesave. Serbia ka financuar strukturat paralele në veri dhe ka mbështetur serbët atje përmes pensioneve dhe shtesave të tjera, në dinarë.

Por, institucionet i kanë konsideruar këto veprime në kuadër të shtrirjes së sovranitetit në këtë pjesë të shtetit.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë cilësuar shumë nga këto veprime si të pakoordinuara.

sqShqip