May 2, 2024
Kosovë

Kurti: Po befasohemi nga toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është shprehur i befasuar me veprimet e Serbisë, por ai ka thënë se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi kidnapuan tre policë kufitarë në veri.

Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin.

“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të enjten.

Kurti ka thënë se janë në bisedime me zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd për të mësuar se ku po mbahen tre policët e kidnapur dhe për të aranzhuar një takim të mundshëm me ta.

Kurti i habitur që KFOR-i s’ka dalë me deklaratë zyrtare për vendin ku ndodhi kidnapimi

Kurti është shprehur i habitur edhe me faktin që KFOR-i ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me vendin ku ka ndodhur ngjarja.

“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpalosim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarje e cila nuk ishte në mbrëmje por në mesditë, KFOR-i nuk del me një shpjegim zyrtar se ku është ky vend, ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Kurti në konferencë ka prezantuar edhe një hartë, nëpërmjet të cilës ka treguar se kidnapimi i policëve të Kosovës ka ndodhur thellë në territorin e Kosovës.

“Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por për kidnapim në Kosovë … nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të vijës kufitare nga policët siç pretendohet rrejshëm nga Serbia”, ka theksuar Kurti.

“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as deskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Mund të jetë shkelje e Rezolutës 1244, por është komandanti i KFOR-it për çdo deklaratë e përmend Rezolutën 1244, sepse e ka shpeshtuar përmendjen e saj. Ne e konsiderojmë Kushtetutën si e drejtë dhe përgjegjësi”, ka shtuar Kurti.

Tre policë u kidnapuan të mërkurën brenda territorit të Kosovës nga policët serbë. Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë reagim për rastin. Ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë nga Kurti të ndërmerr hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri.

Sveçla: E pamundur që policët ta kishin kaluar territorin e Kosovës, rruga ku u kidnapuan ishte e bllokuar

Image
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur se kidnapimi i tre policëve të Kosovës është zhvilluar sipas planit të planifikuar nga njësitet speciale të Serbisë, që përfshin edhe atë ushtarakë, brenda territorit të Kosovës.

Ai ka thënë se mund të vërtetohet se policët janë kidnapuar brenda territorit të Kosovës, nga gropat të cilat janë krijuar më parë me qëllimin për të ndaluar kontrabandën nga Serbia.

“E kam vizituar vendin, bëhet fjalë për një rrugë ku ka pasur kontrabandë dhe ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Rruga është e ndarë në mes me gropë, dy nga to një pas një dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë ashtu siç propaganda e Beogradit thotë. Ky është deformim i ngjarjeve në terren”.

Sveçla ka shtuar se ky veprim ka qenë si përgjigje e Serbisë ndaj arrestimit të Milun Milenkoviq-Llune, i dyshuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe PK-së.

“Liderë të grupeve të urdhëruara ga Beogradi nuk janë të panjohura për autoritetet tona pasi njihen veprat e tyre kriminale ndër vite. Një nga ta, udhëheqës në mbrojtjen civile “Llune” që u arrestua. Historiku i dosjes së tij kriminale tregon sulmet e paligjshme të ndërmarra gjatë viteve, dhe përmban sulme e terror ndaj qytetarëve e forcave të sigurisë”.