May 24, 2024
Kosovë

Kurti në Paris: Qëllimi i sulmit të 24 shtatorit ishte përshkallëzim i situatës, në mënyrë që ushtria serbe të hynte në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në një diskutim në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë është kryer nga një grup terrorist dhe qëllimi ishte përshkallëzim i situatës në mënyrë që ushtria serbe të hynte në Kosovë.

Kurti në diskutimin “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt” i cili po moderohet nga Pascal Boniface, drejtor i Institutit francez për Çështje Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS) tha se Serbia ka 48 baza ushtarake përreth kufijve me Kosovën dhe gjysma e tyre janë të ushtrisë dhe gjysma të xhandarmërisë.

“Më 24 shtator patëm sulm nga një grup terroristit, paramilitar nga Serbia në veri të vendit tonë, ku vranë një polic të Kosovës dhe sigurisht që kanë dashur të shkaktojnë një përshkallëzim të një mase më të madhe dhe të krijonin kaos si pretekst që ushtria serbe të hynte në Kosovë…” tha Kurti, raporton Telegrafi.

Sipas Kurtit, edhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se ky masivizimi i trupave serbe përreth kufirit me Kosovën është i papranueshëm.

Sipas tij, shumica dërmuese e sulmuesve të 24 shtatorit vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, duke përfshirë edhe liderin e grupit, Milan Radoiçiqi i cili e ka pranuar se ka udhëhequr sulmin.

“Ai është arrestuar dhe liruar pas pak orësh…”, tha ndër të tjera Kurti.

Ai tha më tej se Kosova duhet të kujdeset për sigurinë pasi këto grupe duan t’i ngjajnë Wagnerit dhe po ashtu duhet të fokusohen po ashtu te situata gjeo-politike.

“Nuk duam të kemi alternativë përveç NATO-s dhe BE-së”, tha Kurti, gjersa shtoi se ka edhe vende që bëjnë dhe mendojnë ndryshe dhe kjo e bën situatën më të vështirë sepse Federata Ruse i ka pëlqyer shumë këto përpjekje për destabilizim në rajon.

Kurti gjatë këtij diskutimi ka folur për procesin integrues të Kosovës, ekonominë e luftimin e korrupsionit.