Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka uruar veteranët e UÇK-së për ditën e tyre.
Kurti ka thënë se Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zuri vend në ditën e parafundit të vitit kalendarik, sepse në një ditë si kjo, më 30 dhjetor 1991, forcat policore serbe e kryen aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Ai ka thënë se dëshmorët dhe veteranët me veprën e tyre e kanë bërë historinë e çlirimit të Kosovës,
“Veteranët e luftës çlirimtare, janë shokët bashkudhëtarë dhe luftëtarët dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës, rrugë kjo në të cilën udhëtojnë të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe faktorizimin e kombit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

