Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se rritja e pagesave për lehonat do të nisë së zbatuari menjëherë nga ky muaj, ndonëse fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi në korrik.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, Kurti deklaroi se çdo nënë lehonë do të përfitojë 500 euro në muaj, krahasuar me 325.9 euro sa ishte deri më tani, ndërsa në këtë shumë nuk përfshihen shtesat për foshnjat.
“Nga 325.9 euro në muaj, duke filluar nga ky muaj, secila nënë lehonë do të përfitojë 500 euro në muaj, pa i përfshirë shtesat për foshnjën”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se nuk ka arsye që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet më tej, duke e cilësuar masën si pjesë të mbështetjes sociale për familjet në Kosovë.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë miratoi edhe pakon “Inflacioni 2.0”, e cila parasheh mbështetje financiare prej 100 eurosh për disa kategori qytetarësh.
Sipas Kurtit, pakoja përfshin nga 100 euro mbështetje për pensionistët, punëtorët e sektorit jo-publik, fëmijët dhe studentët aktivë.
Kryeministri në detyrë tha se Qeveria po kërkon të shfrytëzojë çdo mundësi për të zbutur ndikimin e inflacionit dhe për të mbështetur qytetarët përballë rritjes së kostos së jetesës.
Deri më tani nuk janë bërë publike detajet lidhur me kriteret e përfitimit, afatet e aplikimit dhe mënyrën e ekzekutimit të pagesave.

