May 15, 2024
Kosovë

Kurti e Bërnabiq përplasen në Tiranë: A dëshiron të na pushtosh?

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku po merr pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq kërkoi sot që marrëveshja e CEFTA-s të ripërcaktohet, në të cilën Kosova do të trajtohej si shtet. Kurti gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Kurti tha se pikërisht për çështjen e njohjes, pati polemika me kryeministren serbe.
“Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vitesh pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”.
Në anën tjetër, Bërnabiq tha se Kosovën nuk e njohin pesë anëtare të BE-së, se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se në atë kuptim nuk mund të ketë status tjetër nga ai ekzistues.
Kurti iu përgjigj asaj me një pyetje: “Çfarë do të bësh, a dëshiron të na pushtosh?”. Ndërsa Bërnabiq u përgjigj: “Si mendoni se po e okupojmë territorin tonë?”