Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, në 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gjatë ceremonisë zyrtare të parakalimit të Forcës së Sigurisë dhe Policisë tha se shteti i Kosovës u themelua nga rezistenca paqësore, sakrifica popullore, lufta çlirimtare dhe ndërhyrja ndërkombëtare, dhe se më 17 shkurt 2008 populli e shpalli Kosovën shtet të pavarur.
Kurti tha se kjo është dita kur përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për lirinë, duke i konsideruar ata si themelet e Republikës.
“Shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky është një shtet i lindur nga rezistenca paqësore, sakrifica popullore, lufta çlirimtare dhe ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë shekullore, ndërsa Evropës iu shtua një shtet i ri me orientim drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s,” tha Kurti.
“Kjo është dita kur përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për lirinë tonë. Ata janë themelet e Republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së dhe falënderojmë aleatët ndërkombëtarë që qëndruan në anën e së drejtës historike” tha Kurti.
Kryeministri tha se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe çlirimtare dhe se “nuk pranojmë të rishkruhet historia”.
“Disa drejtues të UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe të pashembullta për praktikat ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë që të rishkruhet historia. Lufta e UÇK-së ishte luftë e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale, një luftë e drejtë e një populli të okupuar dhe të shtypur nën aparteid, dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë kurrë”, deklaroi ai.

