May 20, 2024
Dossier

Kurbeti i familjes shqiptare në Rumuni, shteti ua mori tërë pasurinë

NGJYRESË JETE

KURBETI

Shkruan: Merita Abazi

Rumani moj Rumani… ishin fjalët që rastësisht i dëgjova një mbrëmje kur qeshë mikeshë në një familje, ku ishin familjarët e mi, miq, të mbledhur e bisedë plot. Të rejat në mes veti, të moshuarat njësoj.
Zonja Shazije fliste, e unë e përqëndrova vëmendjen te ajo dhe fillova ta dëgjoj.
-Çka ka në Rumani? – kot bëra një pyetje sa të kuptoj fillin e temës.
– Në Rumani e kisha stërgjyjshin, gjyshin , babën…ah ky kurbet!
– Po përse në Rumani? – thashë dhe menjlherë m’u kujtua livadhi i lotëve ku Asdrenin e vogël, e përcollën fshatarët në Rumani, në tokën ku i kishte dy vëllezërit. Në shtëpinë e të atit kishte mbetë i vetëm. Prindërit i ndëruan jetë, ai s’kishte askë. As nënë, as baba…dhe i vogël si ishte, me bashkëfshatarët e vet, u nis te të dy vëllezërit që ishin në Rumani…e ai livadh, u njomë me lotët e prindërve të atyre që shkonin në Bukureshtin e ëndrrave dhe ardhmërisë që nuk e dinin si do të jetë.
I përcollën më të dashurit e tyre…për mos t’i parë më. Azdrenin e himnit tonë kombëtar!
– Ishte varfëri e madhe- më përmendi zëri i zonjës Shazije. Stërgjyshit i duhej të nisej në kurbet. Ku? Ku shkonin shumica. Në Rumani – vazhdoi zonja Shazije- atje, punoi shumë , nuk e di se sa fitoi, dhe u pasurua. E kishin marrë policët, e kishin detyruar t’i hapë gropat ku e kishte fshehur arrin, dhe e kishin vrarë. Por sa kishte miq po aq armiq. E tradhëtoi shoku më i ngushtë. Djali i vetëm Halimi shkoi pas gjurmëve të babës. Ai atje vazhdoi punën e babës së vet, tregtinë. Edhe ai arriti mjaft. Këtu, të familjes ishin krejt të brengosur. Ai duhej të martohej. Në rastin e parë që erdhi ia bënë dasmën dhe e martuan Kështu shkonte e vinte, çonte e binte mall. U bë me dy fëmijë. Vajzë e djalë.
-Ku është vajza?- e pyeta nga padurimi. – ajo qeshi. Unë jam- tha, vëllai im ndëroi jetë-
Ah- ia bëra, tani e dija kush ishte…
-Bukureshti. Derisa qe atje, ai u njoh me një grua rumune. Me Zhanën
U kthye në familje dhe vazhdoi punën e tregtisë në vendbanimin e vet, por një ditë erdhi Zhana. Babai kur e pa disponimin tonë familjar, e morri Zhanën dhe e ktheu në Bukuresht. Kur morri të kthehet në vendlindje, Zhana e përcolli me lot, por…asgjë nuk kalonte as andej as këndej. Kufiri ishte mbyllë.
– Kthehu prapa, ose e thërasim policinë,. I bërtiti një ushtar
Po unë duhet të shkoj në shtëpi. Ju lutem, urdhëroni dokumentet, e di, nuk punojnë as trenat, asgjë. Në këmbë do të eci. Ju lutem më leni- i luste Halimi ushtarët në kufi.
-Kthehu pas se do të gjuajmë!- ishte urdhëri i prerë.
Halimi e shikoi Zhanën. Ajo nuk qeshte. I dhimbsej Halimi.
..Kjo tragjedi familjare, ndarja nga më të dashurit, zgjati 23 vjet.
Halimi atje vazhdoi me punën e tregtisë, dhe nga pamundësia të kthehet, ai u martua me Zhanën që kishte një dyqan me mall – vazhdoi me tregimin zonja Shazije.
Një ditë në familje erdhi një lajm.
Policia rumune e kishte konfiskuar tërë pasurinë e Halimit, që e kishte fituar me djersë dhe e kishte burgosur. Kufiri ishte hapë. Shpendi i biri , që e kishte lënë tre vjeç, tani ishte ritë, shkoi në Bukuresht ta vizitojë babain që nuk e njihte. Pyet andej , pyet këndej, Shpendi e gjeti Zhanën. U prezentua.
– Të lutem, mund të më çosh te babai im?
Zhana e shikon me një dhembje.
– Po Shpend, ai është në burg. Duhet të kërkoj leje.
Zhana u soll shumë mirë me Shpendin. Ajo e çoi atë ta sheh babain e vet. Sa i rëndë është momenti kur ballafaqohen, babë e bir. Halimi me pranga në duar, e shikon të birin që nuk e njeh, në anë tjetër Shpendi babën. Pas një momenti, me padurim i drejtohet Zhanës në gjuhën rumune:
– Kush është ky? Pse ma solle?
-Halim, ky është yt bir, që e le tre vjeç. Erdhi të të sheh…- ia ktheu Zhana
Atëherë Halimit filluan lotë t’i rrjedhin, buza filloi t’i dridhet dhe e përqafoi të birin. Prangat tringëlluan.
– Shpendi im i vogël, trimi im, qenke ritë e bërë burrë…më ndje, nuk të njoha, po edhe si, 23 vjet s’të kam parë? U mbyllën kufijtë, mbeta këtu. E tani tërë jetën që punova, djersën, mundin, pasurinë që e fitova me ndjersë, ma morrën, plus më burgosën. Asgjë ilegale s’kam punuar. Nuk jam vendas prandaj sillen kështu me mua.
Biri im, ti e ke radhën. Të lutem më trego krejt për familjen, nënën, motrën, për të gjithë.
Shpendi ishte i prekur shumë. Shumë i pëlqeu babai. Me bisedat që i bënë , ai e pa kulturën e tij të gjithanshme, një njeri të cilin e kishte tani si një idol. Ashtu edhe e mbajti atë ndjenjë deri në fund të jetës.
Ky takim ishte një rast i mirë që me vullnetin e Shpendit të bëhet afërsia në mes dy botërave të ndryshme, nga njëra anë babai me atë grua, të dashurën e nga ana tjetër me nënën tonë….- vazhdoi rëfimin e saj zonja Shazije.
– Eh,- tha dhe u ndal
Të gjithë e shikonim dhe e dëgjonim. Çajet ishin ftohë.
-Më në fund erdhi. I duhej të adaptohej rrethit, vendlindjes, njerëzve, fqinjëve. Ai i njihte por kishin kaluar vite, dhe kishte ndryshime -vazhdoi zonja Shazije- Kur pas 23 vitesh u hapën kufinjtë, Halimi, baba i jonë , pas peripecive, takimit, Shpendin, burgun, u kthye në familje, . Aty e gjeti të shoqen nënën tonë që me mall e pritte. Vëllai im Shpendi shkonte në fakulltet…dhe mua më gjeti të madhe.. Ai vendosi të qëndronte këtu me ne…e ishim të lumtur deri sa një ditë, u hap dera e shtëpisë sonë dhe hyri një grua. Ishte Zhana.
Ku është Halimi? -na pyeti duke i shikuar këndet e shtëpisë. Ne i ngrenim supet, se nuk e dinim as atë, e as gjuhën që e fliste nuk e kuptonim.
..por kur e pa kaputin e babës të varur në një qosh, e morri në dorë.
– Ky kaput është i Halimit- tha -dhe u ul derisa erdhi babai.
– Zhana?- u habit babai kur u kthye dhe e pa. -Ç’kërkon ti këtu?
Ajo qeshi. Ne shikonim dhe nuk kuptonim asgjë.
– Pse pyet? – erdha të jem afër teje. Mos prit të kthehem , unë jam gruaja jote. Po e pranoj familjen tënde si të timen.
Unë e shikoja zonjën Shazije që tregonte ashtu e qetë sikur fliste për dikë tjetër e jo për familjen e saj. Në fillim nuk mundja të besoj, por e kuptoja tani gjendjen shpirtërore të dy grave. Kësaj të vendit me dy fëmijë të mëdhenj, dhe të rumunes, që kishte kaluar një pjesë të jetës së saj në Bukuresht si bashkëshorjtja e tij, që tani duke mos mundë të rijë vet atje, me dhimbjen për të birin e vetëm, jo me Halimin( Ajo kishte qenë një vejane me djalin e vetëm që në moshë madhore kishte ndëruar jetë). Zhana kishte marrë rrugën ta gjejë Halimin dhe mos të ndahet nga familja e tij. Ajo në Bukuresht s’kishte askë, e asnjë të njohur, as ndonjë pasuri veç një dyqani. Krejt i kishte lënë, dhe kishte ardhë.
– Po mandej? – pyeta
– Eh, qeshi- babai i ndau dhomat. Një për nanën, një për Zhanën, një për vete.
Habitesha me guximin e rumunes, adaptimin e saj, afrimin me antarët e familjes dhe arritjes së saj ta respektojnë, jo vetëm ne të familjes por edhe më gjërë. Bashkarisht e shkollojnë vajzën dhe djalin dhe Zhana ia bën të gjitha ritualet derisa e martojnë. Gjyshi ishte i respektuar edhe në vendlindje, po edhe jashtë.Kishte përjetuar shumë krajata e fitore…e tani qëndronte i rrethuar nga më të dashurit e vet. Por çdo gjëje dikur i vjen fundi.
– Gjyshi ndërroi jetë. Zhana u kthye në Bukuresht. Ishte e sëmurë. Shpendi disa herë shkonte atje , i dërgonte barëra për përkujdesjen e saj , deri në momentin kur edhe ajo ndërroi jetë. Shpendi ia bëri të gjitha ritualet rreth varrimit të saj -përfu ndoi ajo me rëfimin.
E shikoja zonjën Shazije.
– Nëna e shkretë. Sa vuante por nuk e jepte veten. Ishte vërtetë mjaft e zoja. Dinte të përmbahet Nëna jetoi 100 vjet Afër e kisha shoqen e z.Shpendit, tani të ndjerë, të bijat…ndërsa djali gjysmë orë më herët doli. Të gjithë me mësime të institucioneve të larta. Intelektualë në vend. Një trashigimi me një të kaluar të familjes, shumë pasuri, të marrë me dhunë nga shteti i huaj.
Mbetën vetëm këngët, ato që e hapin plagën më të madhe brenda popullit tonë. Kurbeti dikur, kurbeti sot…ikin njerëzit, ik rinia.
Këngët e kurbetit “…Kur e mora rrugën e kurbetit moj nënë…” dëgjohen gjithandej kufijve, andej e këndej, ku jetojmë, ne shqiptarët, dëgjohen dhe përjetohen shumë rëndë!