May 4, 2024
Rajon - Botë

Kur vajzat 9-vjeçe u shiten pleqve!

Parwana tha se shpresonte të ndryshonte mendjen e prindërve të saj – ajo kishte ëndrra të bëhej mësuese dhe nuk donte të hiqte dorë nga arsimimi i saj. Por lutjet e saj ishin të kota. Më 24 tetor, Qorban, blerësi, i cili ka vetëm një emër, mbërriti në shtëpinë e saj dhe i dorëzoi rreth 2200 dollarë pasuri dhe para cash babait të saj. “Kjo është nusja juaj. Ju lutemi kujdesuni për të … ju lutem mos e rrihni”

Parwana Malik, një vajzë 9-vjeçare me sy të errët, qesh me miqtë e saj teksa ata luajnë me litar kërcimi në një vend me pluhur. Por e qeshura e Parwanës zhduket ndërsa ajo kthehet në shtëpi, një kasolle e vogël me mure dheu: ajo po i shitet një të huaji si nuse, edhe pse është fëmijë. Burri që dëshiron të blejë vajzën e mitur thotë se është 55 vjeç, por për të miturën, ai është “një plak” me vetulla të bardha dhe mjekër të bardhë. Kështu tha ajo për CNN më 22 tetor. Ajo shqetësohet se ai do ta rrahë dhe do ta detyrojë të punojë në shtëpinë e tij. Por prindërit e saj thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër. Për katër vjet, familja e saj ka jetuar në një kamp në provincën veriperëndimore Badghis, duke mbijetuar nga ndihma humanitare dhe puna e lodhshme dhe e papaguar e prindërve të saj, duke fituar disa dollarë në ditë. Por jeta është bërë më e vështirë që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan më 15 gusht.

Ndërsa ndihma ndërkombëtare zbehet dhe ekonomia e vendit shembet, ata nuk janë në gjendje të përballojnë nevojat bazë si ushqimi. Babai i saj tashmë e shiti motrën e saj 12-vjeçare disa muaj më parë. Parwana është një nga shumë vajzat e reja afgane të shitura për martesë, ndërsa kriza humanitare në vend thellohet. Uria ka shtyrë disa familje të marrin vendime zemërthyese, veçanërisht kur afrohet dimri brutal. Prindërit i dhanë CNN akses të plotë dhe leje për të folur me fëmijët dhe për të treguar fytyrat e tyre, sepse ata thonë se nuk mund ta ndryshojnë praktikën vetë. “Dita ditës, numri i familjeve që shesin fëmijët e tyre po rritet”, tha Mohammad Naiem Nazem, një aktivist i të drejtave të njeriut në Badghis. “Mungesa e ushqimit, mungesa e punës, familjet mendojnë se duhet ta bëjnë këtë”.

NJË ZGJEDHJE E DETYRUAR

Abdul Malik, babai i Parvanës, nuk fle natën. Ai i tha CNN se është i “thyer” nga faji, turpi dhe shqetësimi. Ai ishte përpjekur të shmangte shitjen e saj. Ai udhëtoi për në kryeqytetin provincial Qala-e-Naw për të kërkuar punë pa sukses, madje duke marrë hua “shumë para” nga të afërmit dhe gruaja e tij iu lut banorëve të tjerë të kampit për ushqim. Por ai ndjeu se nuk kishte zgjidhje nëse dëshiron të ushqejë familjen e tij. “Ne jemi tetë anëtarë të familjes”, tha ai për CNN. “Duhet të shes për të mbajtur gjallë anëtarët e tjerë të familjes”. Paratë nga shitja e Parvanës do ta mbajnë familjen vetëm për disa muaj, përpara se Malik të gjejë një zgjidhje tjetër..