June 17, 2024
BallinaMaqedoni

Kumanovë, uji ende nuk është i pijshëm

Pas shirave të rrëmbyeshëm dhe breshrit të madh që pardje përfshiu rajonin e Likovës, ku edhe gjenden dy liqenet akumuluese, ai i Likovës dhe i Gllazhnjës, prej ku edhe furnizohet Kumanova me ujë të pijshëm, situata me ujin ende nuk është stabilizuar.
Në të vërtetë pas 24 orësh mungesë uji, pjesa më e madhe e qytetit, respektivisht rreth 80% e qytetit, nga mëngjesi i sotëm ka filluar të furnizohet me ujë. Këtë e bëri të ditur kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, përmes profilit të tij në fejsbuk.
Dimitrievski thotë se ende nuk ka konstatim zyrtar nëse i njëjti është i sigurt për pije, rrjedhimisht, rekomandon që uji para se të pihet ose të përdoret për ushqim, të vlohet.
“Mbi 80% e amvisërive në qytet tashmë pa ndërprerje marrin ujë nga rrjeti i NP “Ujësjellësi” – Kumanovë. Në pesë orët e ardhshme, ujësjellësi do të funksionojë plotësisht dhe do të furnizohen me ujë të gjitha amvisëritë e qytetit që janë të lidhura në rrjet. Vërejtje: Deri në momentin e konfirmimit zyrtar nga “Instituti për Mbrojtje Shëndetësore” në Kumanovë, ky ujë trajtohet si teknik dhe nëse përdoret për ushqim është e nevojshme që të vlohet si masë preventive.”, shkruan mes tjerash kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Zyrtarisht akoma nuk ka njoftim për përdorimin e ujit për pije. Por për fat të mirë, qytetarët tani kanë ujë për nevoja higjienike. Tani për tani sikurse dje, po ashtu edhe sot, qytetarët me ujë për pije po furnizohen nga marketet e vendit.