Kumanovë, “Sami Frashëri” mbi 20 vjet pa objekt të mirëfilltë për gjimnaz
“Të njëjtin objekt identik e ka edhe shkolla e mesme e Ekonomisë, pra bëhet fjalë për objekt të tillë në formë të fluturës që ndodhet brenda kazermës së qytetit. Ai objekt më është në pronësi të MASH dhe dy objekte të tjera dhe ne jemi të interesuar që të gjitha objektet aty të jenë të destinuara për arsim dhe të ndërtohet një kampus arsimor”, tha Arbër Ademi, MASh (03.02.2020).
Kështu pati deklaruar para plot dy vitesh ish-ministri i Arsimit Arbër Ademi, në lidhje me ndërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë. Në fillim të vitit 2020 ai i pat thënë TV21 se dokumentacioni i tokës ku duhet të bëhet shkolla thuajse është në fund. E se ka ngelur vetëm të bëhet plani i detajuar urbanistik dhe pastaj mund të shpallet tenderi.Deri më tani, asgjë nga premtimi i Ademit! Ministri aktual i Arsimit, po ashtu nga radhët e BDI-së, Jeton Shaqiri, thotë se gjimnazi “Sami Frashëri” nuk është në listën e shkollave që janë planifikuar nga Qeveria për rikonstruktim ose ndërtim.
“Kemi pas programet e propozuara të cilat kanë kaluar në Qeveri për vitin 2022, për rikonstruktimin dhe ndërtimin e shkollave të reja, të cilat janë sjell, por brenda kohës nuk do të thotë se programi është diçka statike, është dinamike dhe ato të cilat janë planifikuar në program mund të ndryshohen. Kur jemi te gjimnazi i Kumanovës nuk është se si temë nuk është diskutuar”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Shaqiri tha se në javën e ardhshme do të realizojë takim me kryetarin e Komunës së Kumanovës për të parë çështjen e dokumentacionit. Përndryshe objekti aktual i gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë është ish-kombinat bujqësor. Hiç më mirë nuk e kanë gjendjen edhe shkolla e mesme teknike dhe e mjekësisë “Nace Bugjoni”. Shkolla teknike është me një objekt me gjimnazin, por me hyrje të ndarë e me kushte të njëjta. Ndërkaq nxënësit e mjekësisë, në mungesë hapësire, mësojnë nëpër baraka./TV21