May 15, 2024
Maqedoni

Kumanovë, rritet numri i të prekurve me “kollën e mirë”

Në rajonin Veri-lindor që përfshinë komunat e Kumanovës, Likovës, Kriva Pallankës, Kratovës, Rankovcit e Nagoricit të Vjetër, ka filluar të paraqitet situatë shqetësuese sa i përket të prekurve nga “Pertusis” apo “Kolla e Mirë”.

Sipas njoftimeve që po arrijnë nga Qendra për Shëndet Publik në qytetin e Kumanovës, shifrat tregojnë se kemi rritje të vazhdueshme të rasteve të reja edhe atë jo vetëm tek fëmijët por edhe tek të rriturit. Sipas të dhënave të fundit nga Qendra për Shëndet Publik në qytetin e Kumanovës bëhet e ditur se në rajonin Veri-lindorë janë regjistruar 26 raste me “Pertusis”, edhe atë 23 raste vetëm në qytetin e Kumanovës, 1 në Likovë, 1 në Kratovë si dhe 1 në Kriva Pallankë, transmeton TVM2.

Nga Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë poashtu njoftojnë se nëse vazhdon trendi i rritjes së numrit të të prekurve nga “Pertusis”, atëherë pritet të shpallet gjendje e epidemisë.

Me qëllim të parandalimit “Pertusisis”, në lokalet e Shtëpisë së shëndetit në Kumanovë po vazhdon pa ndërprerë vaksinimi i fëmijëve me vaksinat sipas kalendarit për vaksinim. Si pasojë e numrit dhe fluksit shtuar për tu vaksinuar, Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë po punon në dy turne edhe atë nga ora 7:00 e deri në ora 19:00.

“Pertusis” apo siç njihet ndryshe edhe si “Kolla e mire” është sëmundje ngjitëse e traktit respirator, e cila shkaktohet nga bacile negative e cila gjendet në hundën, gojën dhe fytin e një personi të infektuar, e cila shumë lehtë mund të përhapet, sidomos në ditët e sotme kur janë edhe prezentë virozët e shumta.

Kjo sëmundje më së shumti prek të vegjlit nga foshnjat e deri te fëmijët 9 vjeç, por që i prek edhe fëmijët mbi 9 vjeç. E me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje, mjekët rekomandojnë vaksinimin.