Dy fëmijë, të moshës tre dhe katër vjeç, nga një fshati i Kumanovës janë helmuar nga një lëng që përdoret për kultura bujqësore, njoftuan sot nga SPB Kumanovë. Rasti në polici është raportuar dje nga mjeku i spitalit të përgjithshëm të Kumanovës, në orën 11:52.

“Janë sjellë dy fëmijë, të moshës tre dhe katër vjeç nga rajoni i Kumanovës, të cilët ishin helmuar nga një lëng i përdorur për kultura bujqësore. Pas kontrollit mjekësor, ata u transferuan në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup”, njoftuan nga policia.

Nga spitali i përgjithshëm, informojnë se gjatë kontrollit klinik, fëmijët ishin në gjendje të mirë të përgjithshme, parametrat vitalë ishin të qëndrueshëm.

“Për shkak të mundësisë për intoksikim, pacientët me ambulancë të shoqëruar nga një ekip mjekësor, transportohen në ISHP Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup”, njoftojnë nga spitali.

Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

Vitin e kaluar, në spitalin e Kumanovës u pranuan për trajtim disa fëmijë në raste të ndryshme, të helmuar nga ilaçe dhe detergjentë.

sqShqip