Maqedoni

Kumanova ndër qytetet më të papërshtatshme për jetesë në Maqedoninë e Veriut, ja cili është shkaku!

Kumanova është ndër qytetet më të papërshtatshme për jetesë në Maqedoninë e Veriut, për shkak se qytetarët e Kumanovës vazhdimisht janë të ekspozuar ndaj zhurmave që i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara, thuhet në Raportin Vjetor për Cilësinë e Mjedisit për vitin 2022, të publikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), transmeton Lideri.mk.

Përveç në Kumanovë matje bëhen edhe në Qendrat e Shëndetit Publik (QSHP) në Shkup, Manastir, Kërçovë dhe kudo ka devijime nga vlerat e lejuara, por më e rëndë është situata në qytetin më verior të vendit.

“Sipas të dhënave të përpunuara të zhurmës komunale, mund të konstatohet se nga katër qytetet e konsideruara, Kumanova është qyteti me më së shumti ndotje akustike. Niveli i zhurmës në mjedis në Kumanovë në të gjitha pikat matëse dhe për të tre treguesit bazë: zhurma gjatë ditës, gjatë mbrëmjes dhe zhurma gjatë natës është mbi vlerën e lejuar kufitare”, thuhet në raport.

Kumanova është rekordmen edhe për zhurmën ekstreme, e cila është edhe më e lartë për më shumë se 50 për qind e nivelit të lejuar.

“Niveli jashtëzakonisht i lartë maksimal i zhurmës është matur në periudhën e pranverës në Kumanovë dhe është 95,80 decibel, që është 35,80 d/b mbi vlerat kufitare. Vlera më e lartë në Kërçovë është 75 d/b, në Shkup 71 d/b, ndërsa në Manastir është 67,5 d/b”, tregon raporti për vitin 2022.

Niveli maksimal i lejuar është 60 decibel. Kufiri i ditës në një zonë të shkallës së parë është 40 decibel, dhe kufiri i natës është 50./Lideri