Nga Etem Xheladini
Në çdo kohë e në çdo sistem, pushteti mbetet një ndër sprovimet më të mëdha për njeriun. Ai i jep mundësi për të bërë mirë, por edhe për ta humbur drejtimin nëse mungon ndërgjegjja.
Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që ata që mbajnë poste në qeveri apo në pushtetin lokal, qoftë nga pozita apo opozita, të reflektojnë mbi përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj shqiptarëve që kanë derdhur energji, votë dhe besim në përfaqësuesit e tyre.
Parimet e ndershmërisë në pushtet, për ata që e doni shumë Qeverinë, qoftë pozitë apo opozitë, ju që e doni pushtetin, ose ju që kërkoni ndonjë post në Qeveri apo në pushtetin lokal, duhet të keni kujdes për këto parime:
– Të keni kujdes me sjelljen tuaj ndaj qytetarëve, e në veçanti ndaj shqiptarëve!
– Mos u bëni mendjemëdhenj e mos e nënçmoni votën shqiptare!
– Mos t’ju hyjë vetja në qejf, nëse merrni pushtetin me votat edhe të maqedonasve!
– Mos përvetësoni merita që nuk ju takojnë dhe mos merrni gjëra që nuk janë tuajat!
– Ndihmoni të dobëtit, shpërbleni meritorët dhe bëhuni bamirës!
– Përmbajuni normave morale e etike, sepse ato duhet të jenë prioritet i çdo zyrtari publik!
– Mos harroni: ashtu si vini në pushtet e poste, ashtu edhe largoheni, sepse një ditë gjithçka merr fund!
Pushteti duhet kuptuar si përgjegjësi, jo si privilegj:
“Duhet të jeni të vetëdijshëm se çdo post apo pushtet është përkohësisht i juaji, është kalimtar. Herët apo vonë, të gjithë do të jepni llogari para popullit të cilit i takoni.”

