May 25, 2024
Maqedoni

Kuadrot e kualifikuara migrojnë nga vendi, pagat në vendet e BE-së joshin farmacistët

Barnatoret po mbeten pa staf. Për pesë vjet, më shumë se 100 farmacistë të licencuar u larguan nga vendi për të punuar për pagë më të mirë në vendet evropiane. Nga Oda e Farmacistëve thonë se numri është shumë më i madh, farmacistët fillimisht largohen dhe pas një kohe pasi u njihet diploma dhe licenca, kthehen për të marrë certifikatën për punë jashtë vendit nga Oda e Farmacistëve. Migrimi më i madh është evidentuar në Gjermani, ku paga mujore e një farmacisti arrin deri në tre mijë euro.
“Ikja e stafit, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kuadro të kualifikuara dhe plotësisht të përgatitura profesionalisht për t’u përfshirë në sistemin shëndetësor vendas, është problem serioz sepse sipas Ligjit për ilaçe dhe pajisje mjekësore, që farmacia të funksionojë nevojitet të paktën një farmacist në çdo turn. Mungesa e farmacistëve si problem paraqitet edhe në qytete dhe posaçërisht kërcënohet furnizimi me ilaçe i popullatës në zonat rurale.”, thonë nga Oda e Farmacistëve.
Problemin me mungesën e farmacistëve e konfirmojnë edhe nga Shoqata e Farmacive Private. Ata sugjerojnë një përfshirje më të madhe të këtij stafi në trajtimin e pacientëve. Sipas tyre, roli i farmacistit nuk është vetëm shpërndarja e barnave, por mund të marrë pjesë edhe në menaxhimin e terapisë.
“Duhet të kemi ku të shënojmë që pacienti ka disa efekte anësore apo dyshime për disa reagime ndaj terapisë, sepse jemi në dijeni të polifarmacisë. Në ditët e sotme, pacientët jo vetëm që marrin terapi vet, por ka edhe raste nuk e marrin terapinë e duhur nga mjekët, por shumë shpesh edhe vetëmjekohen.”, – theksoi farmacistja, Biljana Bozhinovska.
Vendi ynë numëron rreth 3.500 farmacistë të licencuar. Disa prej tyre punojnë në farmaci, të tjerët në fabrika për prodhimin e ilaçeve.