Etem Xheladini
Festat e Nëntorit janë një nga momentet më domethënëse kur kombi shqiptar jo vetëm kujton të kaluarën e tij heroike, por edhe shikon drejt së tashmes për të vlerësuar ku gjendet dhe çfarë rruge po ndjek. Megjithatë, në atmosferën festive të Ditës së Alfabetit, e Flamurit u vërejt me shqetësim se ndërmjet subjekteve politike shqiptare, në të gjitha trojet etnike, dallojnë thellë kundërthëniet, divergjencat dhe mungesa e unitetit. Ky fenomen nuk është i ri, por vitet e fundit po merr një dimension të rrezikshëm për shoqërinë dhe kombin tonë.
Shqiptarët, historikisht, kanë dëshmuar se në momentet më të vështira janë bashkuar për çështjen kombëtare. Por sot, kur kërkohet më shumë se kurrë maturi, bashkëpunim dhe përgjegjësi politike, shohim një tablo të fragmentuar, ku përplasjet partiake dhe lakmia për pushtet mbizotërojnë ndaj interesit të përbashkët.
Nëse dikur amanetet e prijësve tanë, ndër ta edhe ai i Mulla Idriz Gjilanit, që mesazhin e tij e përmendim me nderim, na mësonin se liria e vatanit nuk fitohet e as nuk mbrohet me parti, tavafe dhe me njerëz të paaftë të veshur me petkun e shqiptarit, sot duket se ky mësim po harrohet gjithnjë e më tepër.
Sot më shumë se kurrë na duhet reflektim!
Shprehja “o sot, o kurrë” nuk është një thirrje poetike, por një realitet i hidhur me të cilin duhet të përballemi. Në kohën kur trojet shqiptare përballen me sfida demografike, ekonomike dhe politike, partitë shqiptare, kudo që veprojnë, duhet të tregojnë pjekuri dhe vetëdije historike. Prijësit politikë duhet të mbështesin njëri, tjetrin në fjalë e në vepra, të ruajnë etikën politike dhe të veprojnë si vëllezër, jo si rivalë të përbetuar. Ajo që ndodh sot në politikëbërjen shqiptare lë pak vend për optimizëm:
– përçarje të brendshme,
– luftë për karrige,
– diskurs që i shërben interesave të ngushta partiake,
– dhe një distancim i rrezikshëm nga hallet reale të
popullit.
Në shumë programe politike duket se nderi, përgjegjësia dhe interesi kombëtar janë zhvendosur në plan të dytë, duke krijuar mes shqiptarëve një zhgënjim të thellë dhe një konfuzion të panevojshëm.
Dikur prijësit e kombit bashkonin popullin, sot përçarja po bëhet normë
Kur i hedhim sytë pas, shohim se prijësit e kombit tonë në periudhat më të errëta të historisë kishin një parim të pandryshueshëm: pa bashkim nuk ka liri, nuk ka shtet, nuk ka të ardhme. Ata nuk vepronin për t’u dukur, as për t’u lavdëruar, por për të mbajtur të gjallë idealin e bashkimit kombëtar. Sot, fatkeqësisht, ky parim është zbehur. Në një kohë kur faktorët e jashtëm e të brendshëm punojnë për të dobësuar praninë shqiptare në trojet tona, përçarja politike bëhet armiku më i rrezikshëm i vetë shqiptarëve. Humbjet demografike, emigrimi masiv dhe boshatisja e hapësirave etnike nuk janë vetëm pasoja të ekonomisë së dobët, ato lidhen drejtpërdrejt edhe me mungesën e vizionit politik dhe të unitetit.
Koha për një projekt të përbashkët kombëtar!
Në këtë situatë, është urgjente që subjektet politike shqiptare, pavarësisht orientimit të tyre, të ndërmarrin një hap historik: krijimin e një projekti të përbashkët kombëtar, që vendos në qendër interesin afatgjatë të kombit dhe trajton sfidat reale të shqiptarëve në të gjitha trojet.
Ky projekt duhet të synojë:
– ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar,
– mbrojtjen e të drejtave politike e kulturore të
shqiptarëve kudo,
– zhvillimin ekonomik të zonave shqiptare,
– ndalimin e zbrazjes së trojeve dhe emigrimit masiv,
– forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe
ndërpartiak shqiptar,
– ngritjen e një standardi të ri etik dhe përgjegjës në
politikë.
Asnjë subjekt politik nuk mund ta realizojë këtë i vetëm. Është detyrë e të gjithëve që, sipas mundësive dhe përgjegjësive, të kontribuojnë nga pozitat ku veprojnë. Vetëm kështu mund të ndalojmë proceset e dëmshme që e kanë kërcënuar kombin tonë për dekada. Vetëm kështu mund të ruajmë trojet tona nga zbrazja, atë që armiqtë tanë shekullorë e kanë dëshiruar gjithmonë. Nëse nuk bashkohemi sot, nesër do të jetë tepër vonë.
Bashkimi është kushti i vetëm i ekzistencës sonë kombëtare.

