Maqedoni

KShZ – Zgjedhjet 2024, skadoi afati për kontroll të listës zgjedhore, sonte skadon afati për kandidaturat presidenciale

Në mesnatën e 18 marsit skadoi afati për këqyrje publike të të dhënave në listën zgjedhore. Përmes formës elektronike dhe nëpër njësitë rajonale të KShZ-së gjithsej 62.530 qytetarë kanë inspektuar të dhënat e tyre personale për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024. Prej tyre vetëm 143 kanë dorëzuar kërkesa për ndryshimin e të dhënave të tyre. Tani pas përfundimit të afatit, KShZ-ja do t’i shqyrtojë këto kërkesa dhe do të bëjë përmirësimin e listës zgjedhore.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve informon që me përfundim më datën 18.03.2024, në seksionet dhe zyrat rajonale të KShZ-së, shikim në të dhënat në listën zgjedhore kanë bërë 6.231 persona. 23 persona kanë parashtruar kërkesë për ndryshimin e të dhënave të tyre, 29 persona kanë parashtruar kërkesë për regjistrimin e të dhënave të tyre dhe 11 persona kanë parashtruar kërkesë për shlyerjen e të dhënave në listën zgjedhore. Në formë elektronike, më 18.03.2024 gjithsej janë kontrolluar 56.299 qytetarë. Janë parashtruar 47 kërkesa për ndryshimin e të dhënave, 9 kërkesa për shlyerjen e të dhënave dhe 24 kërkesa për regjistrimin e të dhënave në listën zgjedhore.”, thuhet në komunikatën e KShZ-së.

Po ashtu në 9 të mëngjesit të 19 marsit skadoi afati edhe për regjistrimin e votuesve në diasporë, ku të drejtën e votës për të votuar në zgjedhjet presidenciale e kanë fituar gjithsej 2.369 mërgimtarë. Ky numër i paraqitur i votuesve në diasporë me sa duket nuk do të plotësojë kushtin për të votuar në zgjedhjet parlamentare, pasi që më herët nga KShZ-ja kanë sqaruar se për të zgjedhur deputetin në njësinë e shtatë zgjedhore dhe për t’i organizuar zgjedhjet parlamentare në diasporë, duhet të paraqiten së paku 5.355 mërgimtarë votues dhe të sigurohen së paku po aq vota për njërin kandidat për deputetë.

“Sa u përket kërkesave të arritura për regjistrimin e votuesve në diasporë, ju informojmë që deri më 19 mars 2024, deri në orën 9, kanë arritur gjithsej 2.943 paraqitje, nga të cilat 2.369 janë pranuar, 396 janë refuzuar dhe 178 paraqitje të përpunuara, të cilat do të procedohen gjatë ditës së sotme.”, thuhet në komunikatën e KShZ-së, transmeton TVM2.

Në KShZ tashmë numërohen orët e fundit edhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për President. Ky afat skadon në mesnatën e 19 marsit, ku të gjithë kandidatët për President të cilët paraprakisht mblodhën nënshkrimet e nevojshme duhet të dorëzojnë kandidaturën e tyre pranë KShZ-së. Pesë, nga shtatë kandidatët për President, respektivisht, Stevo Pendarovski i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së, Stevçe Jakimovski nga GROM-i, Maksim Dimitrievski nga partia “E di”, Bujar Osmani i mbështetur nga BDI, Arben Taravari i mbështetur nga Koalicioni i opozitës shqiptare VLEN dhe Biljana Vankovska e mbështetur nga E Majta, dorëzuan kandidaturën e tyre. Të tjerët këtë gjë do ta bëjnë deri në fund të ditës së martë. Pas skadimit të afatit, kandidatura e tyre do të duhet të konfirmohet nga anëtarët e KShZ-së dhe më pas ata të bëhen zyrtarisht kandidatë për President. Sa i përket shpalljes së Stevço Jakimovskit në listën e zezë të Departamentit Amerikan i Shtetit dhe nëse ky vendim i ShBA-së do të ndikojë mbi kandidaturën e Jakimovskit, KShZ-ja ka sqaruar se kushtet për zgjedhjen e Presidentit janë të parashikuar në Kushtetutën e RMV-së.