May 17, 2024
Kosovë

Bruksel, Bislimi dhe Petkoviq, takim për dinarin, Kurti: Nuk pranohen propozime kundër vendimit të BKQ-së

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në Bruksel, në prani të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po diskutojnë lidhur me dinarin. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, Qeveria e Kosovës do t’i adresojë me shpejtësi. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Kurti ka thënë se nuk ka propozime të pranueshme që janë në kundërshtim me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Më duhet të them se kjo nuk është çështje e dinarit, është çështje e Bankës Qendrore të Kosovës, institucion i pavarur i Republikës sonë. Pra, nuk është në pyetje a të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim i yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro. Ndërkohë, të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, ne do t’i adresojmë me shpejtësi. Sërish, Banka Qendrore e Kosovës e cila prin në këtë proces – meqenëse rregullorja e saj e re e datës 27 dhjetor është vendim i pavarur i Bankës Qendrore – ajo i adreson me ta dhjetë hapat të cilët i ka paraparë në një plan me fazë transitore tremujore.”.

Kurti ka sqaruar se Kosova ka ndarë një buxhet për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por megjithëse e dërgon atje ndihmën financiare në euro, në bankat në Serbi merret në dinarë. Ngjashëm do të mund të ishte edhe në Kosovë, dërgesa që vjen në dinarë, të mund të merret në euro, ka thënë Kurti. Një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.