Kryhet kontroll i jashtëzakonshëm në Idrizovë, drejtori Tairi nuk ka kurrfarë faji për arratisjen e Memetit
Drejtoria për ekzekutim të sanksioneve më datën 13 të këtij muaji ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm ekspert në burgun e Idrizovës me qëllim të konstatimit të të gjitha rrethanave që kanë ndikuar në arratisjen e personit të dënuar, Bekim Memeti, informojnë sot nga Ministria e Drejtësisë.
Duke pasur parasysh faktin, siç thonë nga Ministria e Drejtësisë, se pjesëmarrësit në ngjarje të cilët janë pjesëtarë të policisë së burgjeve (përveç policit të dëmtuar të burgut) që gjatë natës është dashur të shkojnë në ambientet e departamentit kompetent të MPB-së, ndërsa me ta edhe Komandanti i repartit që e koordinon ngjarjen, zyrtarët e Drejtorisë nuk kanë mundur të bisedojnë me ta, por për rrjedhën e ngjarjes janë njoftuar nga drejtori i INK Idrizovë dhe komandanti i policisë së burgjeve në këtë institucion.
“Me këtë kumtesë duam të theksojmë se në cilën pjesë nuk është vepruar në përputhje me Rregulloren për kompetencat e policisë së burgjeve, mënyrën e armatosjes dhe kryerjes së punës së policisë së burgjeve mbi bazën e së cilës parashikohet edhe procedura për zbatim jashtë institucionit”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Siç theksohet në kumtesën, që një i dënuar të dërgohet në një institucion shëndetësor për intervenim, duhet të përgatitet udhëzim nga punonjësi shëndetësor për gjendjen e tij shëndetësore, d.m.th. një mjek në institucion, ose jashtë orarit të punës me konstatim dhe udhëzim të dhënë nga një ekip i urgjencës mjekësore, i cili në këtë rast nuk është thirrur.
“Vendimi që i dënuari të transportohej në Qendrën Klinike është marrë nga komandanti i departamentit dhe ka firmosur urdhrin për kryerjen e transportit. Për nënshkrimin e këtij urdhri, komandanti duhet së pari të njoftojë drejtorin e objektit, gjë që në këtë rast nuk është bërë dhe drejtori, pasi të jetë vënë në dijeni për problemin shëndetësor, do të autorizojë verbalisht urdhrin për nënshkrim”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Rregulli tjetër që nuk është respektuar, siç thuhet në kumtesën, është se personi i dënuar në vend që të vendoset në pjesën e siguruar posaçërisht të automjetit, me sugjerimi të komandantit është vendosur në pjesën e dytë të sediljeve ndërmjet dy pjesëtarëve të policisë së burgjeve.
“Në të njëjtën kohë, polici i burgut i cili ishte ulur pranë të dënuarit nuk kishte fare armë zjarri me vete, të cilën ai ishte i detyruar ta mbante, ndërsa polici i dytë i burgut, nga i cili është marrë arma e përdorur për të qëlluar automjetin, nuk ka vepruar me kujdesin e duhur dhe nuk ka penguar aksionin gjatë të cilit i është marrë arma”; shtohet në kumtesën.
Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve informon se komandanti i Departamentit dhe pjesëtarët e policisë së burgjeve të cilët kanë kryer hetimet me vendim të drejtorit të INK Idrizovë, të njëjtën ditë janë suspenduar nga vendet e tyre të punës.