Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, bashkë me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe liderët e VLEN-it sot ishte në Manastir, shkruan Lideri.mk.

“Në 117-vjetorin e Kongresit të Manastirit, u përkulëm me nderim të thellë para një akti që ndryshoi përgjithmonë fatin tonë kombëtar – unifikimit të alfabetit shqip, gurit të shenjtë mbi të cilin u ngrit identiteti ynë, dinjiteti ynë dhe vetë ekzistenca jonë si popull.

Sot, në rrugicat e Manastirit dhe në ambientet e Muzeut të Alfabetit, ndihej një emocion i pazakontë: fryma e rilindasve që na kujtonte se gjuha jonë nuk është vetëm mjet komunikimi, por trashëgimi shpirtërore, amanet i përjetshëm dhe themel i unitetit mbarëkombëtar.
Koncerti festiv dhe atmosfera solemne e kthyen Manastirin në një hapësirë ku historia, kultura dhe krenaria jonë kombëtare rrahën në një zemër të vetme”, ka shkruar Sinani.

Ajo theksoi se këtë përvjetor morën pjesë figura të rëndësishme nga mbarë hapësira shqiptare:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti;

Ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla;

Kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti;

Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami;

Zëvendëskryministri Arben Fetai;

si edhe Lulzim Jashari, djali i Heroit të Kombit, Adem Jashari – një prani që bartte me vete peshën e sakrificës dhe të lirisë.

“Pjesëmarrja e përfaqësuesve të arbëreshëve i dha ceremonisë një dimension të veçantë shpirtëror, duke na kujtuar se gjuha jonë ka udhëtuar shekuj, dete e kontinente, por ka mbetur njësoj: e pastër, e gjallë dhe krenare.

Të jem pjesë e këtij përvjetori historik ishte nder i jashtëzakonshëm.
Në Manastir ndjeva fuqinë e historisë sonë, më shumë se kurrë. Ndjeva mirënjohje për ata që na dhanë alfabetin, ndjeva përgjegjësi për ta mbrojtur dhe ndjeva krenari të pafund për të qenë shqiptare.

Gjuha është drita jonë.
Alfabeti është rrënja jonë.
Kongresi i Manastirit është përjetësia jonë”, ka shkruar Sinani.

sqShqip