Maqedoni

_Kryeministri Rama i detyrohet një ndjesë të madhe shqiptarëve të RMV

Ditën e djeshme, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev u takua me liderin opozitar maqedonas, Hristjan Mickovski dhe pa konsultim me partitë shqiptare vendosën për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, në një kohë kur mërgata shqiptare po regjistrohej në shifra të mëdha dhe me një prirje në rritje.

Ky vendim partnerit shqiptar në bashkëqeverisje, Ali Ahmetit, Zaevi ia komunikoi me telefon si fakt të kryer.

Në lidhje me këtë Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dolën sot në një konferencë për shtyp, ku u shprehën se regjistrimi i mërgatës do të vazhdojë dhe se Zaevi me Mickovskin nuk kanë tagër mbi këtë vendim që i takon vetëm parlamentit.

Ziadin Sela u pyet edhe në lidhje me videon e disa ditëve më parë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndër të tjera u shpreh se Ali Ahmeti është vizionar dhe republikan i madh.

Në konferencën për shtyp, Ziadin Sela u shpreh se “Kryeministri i Shqipërisë i detyrohet me një ndjesë të madhe shqiptarëve”, duke aluduar se mbrojtja e Ali Ahmetit nga ana e tij do të thotë dalje në krah të atyre që nuk e duan regjistrimin e shqiptarëve, duke qenë se vetë Ali Ahmeti, aktivisht apo pasivisht për shkak të paaftësisë ka dorë në anulimin e regjistrimit të vitit 2011 dhe shtyrjen e këtij censui aktual të vitit 2021.

Më poshtë gjeni përgjigjen e plotë të z. Ziadin Sela:

“Pyeteni kryeministrin, nuk e di çfarë do t’ju thotë sot, sepse ai në të njëjtën kohë e përmendi ‘vizionarin e madh’ dhe vazhdoi fjalinë me ata që s’lanë dy gurë bashkë kundër shqiptarëve në mënyrë që të dështonte regjistrimi i vitit 2011. E ta ata që s’lanë dy gurë bashkë kundër shqiptarëve është edhe Ali Ahmeti.

Ali Ahmeti edhe sot është emëruesi i përbashkët i dyshes Zaev-Mickovski për ta prolonguar edhe këtë regjistrim, që të dështojë edhe ky. Kështu që, unë besoj që Kryeministri i Shqipërisë i detyrohet me një ndjesë të madhe shqiptarëve.”