May 7, 2024
Rajon - Botë

Kryeministri gjerman e “dridh” Rusinë: Do të paguajë “çmim të lartë” nëse sulmon Ukrainën

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar Rusinë se do të paguajë “çmim të lartë” nëse përpiqet të pushtojë Ukrainën.

Në fjalimin e tij të parë në parlament pasi u betua si kancelar i ri i Gjermanisë, Scholz tha se vendet evropiane janë të bashkuara në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Ne po ndjekim me shqetësim të madh situatën e sigurisë në kufirin ruso-ukrainas”, u tha Scholz ligjvënësve, duke njoftuar se sot më vonë do të udhëtojë në Bruksel për t’u bashkuar me liderët e tjerë të Bashkimit Evropian (BE) për të diskutuar zhvillimet e fundit në rajon.

Më tej, ai tha “më lejoni të përsëris atë që tha paraardhësi im”, duke kujtuar paralajmërimet e mëparshme për Moskën të ish-kancelares Angela Merkel.

“Çdo shkelje e integritetit territorial do të ketë një çmim, një çmim të lartë. Dhe këtu ne do të flasim njëzëri me partnerët tanë evropian dhe aleatët tanë transatlantik”, shtoi Scholz.

Politikani social-demokrat i bëri thirrje Rusisë që të përmbahet nga veprimet e përshkallëzimit dhe përsëriti se vendet evropiane janë të gatshme për një “dialog konstruktiv” me Moskën.

Së fundmi, Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës. Masa ka nxitur shqetësime midis vendeve evropiane se Rusia mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik.

Moska në mënyrë të përsëritur ka theksuar se “nuk ka plane për të pushtuar apo sulmuar askënd”, por ka shprehur shqetësim për mundësinë e një konflikti të plotë në Ukrainën lindore.

Gjermania dhe aleatët e saj evropian akuzojnë Rusinë se po përpiqet të de-stabilizojë vendin duke ofruar mbështetje ushtarake për forcat separatiste në rajonet lindore të Ukrainës.