Kryediplomati turk Hakan Fidan takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Hakan Fidan, u takua në Londër me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për të diskutuar çështje të ndryshme, duke përfshirë anëtarësimin e Suedisë në NATO, bashkëpunimin në mbrojtje, si dhe lidhjet dypalëshe, raporton Anadolu.

Bisedimet u zhvilluan në qendër të Londrës, ku dy homologët kishin mbërritur për Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës.

“Sot, ne jemi këtu në Londër për të demonstruar mbështetjen tonë për Ukrainën”, ministri Fidan u tha gazetarëve para takimit.

Megjithëse të dy vendet mund të mos kenë pikëpamje të njëjtë për çdo çështje, Fidan theksoi se aleanca e tyre e gjatë brenda NATO-s dhe platformave të tjera i detyron ata të vazhdojnë të punojnë së bashku.

Duke kujtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti amerikan Joe Biden krijuan mekanizmat strategjikë Türkiye-SHBA vitin e kaluar në kryeqytetin spanjoll Madrid, Fidan tha se qëllimi i mekanizmit është të adresojë çështjet e pazgjidhura dhe të eksplorojë mundësitë për bashkëpunim më të thellë.

Nga ana e tij, Blinken tha se është kënaqësi të takohet me “kolegun e shumë viteve”, duke iu referuar Hakan Fidanit, ministrit të ri të jashtëm të Türkiye-s.

Ai vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe, duke thënë: “Ka shumë gjëra që SHBA dhe Türkiye po bëjnë së bashku për çështjet më thelbësore, jetike”.

Blinken nënvizoi se gjatë takimit në rendin e ditës do të jenë samiti i ardhshëm i NATO-s, pranimi i Suedisë në aleancë dhe bashkëpunimi i mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Türkiye-s, si dhe lidhjet dypalëshe.

Ai gjithashtu u shpreh se do të diskutohen disa çështje tjera, duke përfshirë energjinë dhe bashkëpunimin ekonomik, duke theksuar: “Marrëdhëniet midis vendeve tona janë të thella dhe të pasura”.

Dy ministrat mbërritën në hotelin InterContinental Londër, ku po marrin pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës.