Ejup Berisha
Kriteret e Kopenhagës si kushte për sigurimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Kur flitet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, fraza që dëgjohet më shpesh në korridoret e politikës evropjane është “plotësimi i Kritereve të Kopenhagës”. Por çfarë përfaqësojnë saktësisht këto kushte që shpesh cilësohen si “provimi i paranimit” për shtetet candidate. Të hartuara mbi tre dekada më parë, Kriteret e Kopenhagës mbeten testi më i vështirë dhe më gjithëpërfshirës i transformimit të një vendi. Nga sundimi i ligjit dhe liria e medias, te tregu i lirë funksional dhe adoptimi i mijëra faqeve të legjislacionit evropian (Acquis), këto kritere shërbejnë si një filtër i rreptë që garanton se BE-ja zgjerohet vetëm me shtete që ndajnë të njëjtin kod gjenetik politik dhe ekonomik. Kriteret e Kopenhagës e përbëjnë bazën politike, ekonomike dhe juridike që një shtet kandidat duhet ta përmbushë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Ato u miratuan në Këshillin Evropian të Kopenhagës në vitin 1993. Të njejtat i përcaktojnë standardet themelore që duhet t’i përmbushë çdo shtet që synon anëtarësimin në BE. Ato përfshijnë institucione demokratike funksionale, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Gjithashtu, kërkohet një ekonomi funksionale e tregut dhe aftësia për të përballuar konkurrencën brenda tregut evropian. Shteti kandidat duhet të jetë në gjendje të marrë përsipër detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi dhe të zbatojë legjislacionin e BE-së.
Kriteret politike themeli i demokracisë evropiane
Dimensioni politik i kritereve të Kopenhagës kërkon që shteti kandidat të ndërtojë dhe të garantojë institucione demokratike të qëndrueshme. Kjo nënkupton zgjedhje të lira, ndarje të pushteteve, pavarësi të gjyqësorit, luftë kundër korrupsionit dhe respektim të lirive dhe të drejtave themelore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet mbrojtjes së pakicave dhe respektimit të parimeve demokratike. Pa këto standarde, integrimi evropian nuk mund të konsiderohet i përmbushur në aspektin politik.
Kriteret ekonomike aftësia për të funksionuar në tregun evropian
Në aspektin ekonomik, kriteret e Kopenhagës kërkojnë që shteti kandidat të ketë një ekonomi funksionale të tregut dhe institucione që mundësojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ai duhet të jetë në gjendje të përballojë konkurrencën dhe presionet e tregut brenda Bashkimit Evropian. Kjo kërkon stabilitet ekonomik, institucione efikase, investime, produktivitet dhe një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e bizneseve. Pra, anëtarësimi nuk është vetëm çështje politike, por edhe përgatitje reale ekonomike.
Përgjegjësia dhe përgatitja për anëtarësim
Kriteri i tretë kërkon që shteti kandidat të jetë institucionalisht, administrativisht dhe juridikisht i përgatitur për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e anëtarësimit. Kjo nënkupton harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë evropian, zbatimin e standardeve dhe politikave të BE-së dhe ndërtimin e institucioneve që mund t’i zbatojnë ato në praktikë. Nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve evropiane, por kërkohet edhe zbatimi i tyre i plotë dhe efektiv. Për shtetet e Ballkanit Perëndimor rëndësi kanë edhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Kriteret e Kopenhagës nuk janë thjesht kërkesa formale për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ato përfaqësojnë një proces të transformimit demokratik, ekonomik, juridik dhe institucional të shtetit kandidat. Anëtarësimi në BE kërkon dëshmi konkrete se një shtet është i gatshëm ti respektojë vlerat evropiane dhe të përmbushë detyrimet e tij si anëtar i barabartë i bashkimit.
Pse për dikend Kriteret e Kopenhages janë të paqarta kur të njejtat janë miratuar dhe promovuar gjate kohë në opinion
Kriteret e Kopenhagës janë shumë të qarta, por për disa njerëz duken të paqarta për shkak të mungesës së njohurive, interesave politike ose mungesës së vullnetit për t’i zbatuar ato. Problemi nuk është te paqartësia e kritereve, por te mungesa e gatishmërisë për t’i përmbushur ato. Anëtarësimi në BE kërkon rezultate konkrete, jo vetëmse deklarata politike.

