Krenar Lloga, njëri ndër funksionarët më të lartë të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Ziadin Sela braktisi partinë me një vendim të bërë të ditur në rrjetet sociale një ditë më parë, por nuk jep më shumë detaje rreth arsyeve që e çuan në këtë vendim.
Në një bisedë të shkurtër telefonike për Alsat, Lloga thekson që vendimi është publikuar pas një mbledhje të kryesisë së partisë, ndërsa për këtë është informuar kryetari Sela. Sipas Llogës, hapi i këtillë nuk nënkupton kalimin e tij në ndonjë subjekt tjetër politike, e as formim të partisë së re. Ai nuk dëshiron të sqarojë për momentin nëse vendimi është si rezultat i zgjedhjeve lokale, por tha se do të flasë më shumë kur të jetë i gatshëm.
Alsat, kontaktoi dhe Ziadin Selën për të marrë një qëndrim për largimin e Llogës, i cili shpesh në opinion shihej si krahu i djathtë i tij. Sela, deklaroi se nuk ka çfarë të komentojë rreth dorëheqjes së tij, pasi që është vendim i tij dhe tërë kjo është sqaruar në shkrimin e publikuar nga vetë Lloga.
Në shkrimin e tij të publikuar Lloga thotë se pas analizave dhe reflektimit ka vendosur për këtë hap, i cili megjithatë nuk nënkupton braktisje të jetës politike. “Do të vazhdoj të jem mes jush, por tashmë në një vallëzim më të lirë e pa koreografi – një solist që ndoshta do ta ketë të vështirë të luajë vetëm, por që do ta bëjë me shpirt të lirë dhe me dashuri për njerëzit”, shkruan Lloga.
Tërheqjen e funksionarit të lartë të ASH-së, nga BDI pa ndonjë koment shtesë, e vlerësojnë si zhvillim brenda partiak dhe jo si ndonjë zhvillim që mund të ketë ndikim në koalicionin brenda Aleancës Kombëtare për Integrim.
“Ato janë zhvillime të brendshme në Aleancën për Shqiptarët, gjithsesi është akt personal i zotëri Llogës dhe gjithsesi duhet t’i drejtoheni për arsyet edhe pse ai u deklarua për aktin e tij të tërheqjes nga Aleanca për Shqiptarët”, tha Arbër Ademi, BDI.
Nga ana tjetër, sipas Koalicioni VLEN me tërheqjen e Llogës vërtetohet se AKI është zhdukur.
“Me tërheqjen e Krenar Llogës, pas largimit të Menduh Thaçit, pas panikut në BDI dhe heshtjes tre–kokëshe Ahmeti–Taravari–Sela tash e tetë ditë, është bërë krejtësisht e qartë: AKI nuk ekziston më. Është shuar, tretur dhe mbetur vetëm si një hije e vetvetes”, u shpreh Koalicioni VLEN.
Dorëheqja e Llogës vjen më pak se dy javë pas mbas mbarimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, ku Aleanca për Shqiptarët garoi në kuadër të AKI-së, megjithatë nuk arriti të sigurojë udhëheqjen e asnjë komune. Gara më e ashpër ishte në Strugë ku kandidati i ASH-së, Arsim Dalipi, humbi përballë kandidatit të pavarur, Mendi Qyra, i cili pati mbështetjen e VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.
Lloga, në karrierën e tij politike, krahas posteve partiake, ka qenë edhe ministër i Drejtësisë./Alsat.mk

