June 21, 2024
Maqedoni

Kovaçevski-Peach: Maqedonia e Veriut kontribuon në stabilitetin rajonal dhe evropian

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ka takuar përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach, i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vend, Matthew Lawson, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në takim u diskutua për çështje aktuale në kontekstin rajonal dhe global, në drejtim të stabilitetit dhe paqes në Evropë dhe në botë.

Në këtë drejtim, u përshëndetën vendimet e Qeverisë që mundësuan fillimin e negociatave dhe përparimin në procesin e integrimeve evropiane si qëllim strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe me rëndësi për stabilitetin dhe sigurinë si të rajonit ashtu edhe të Bashkimit Evropian.

Në takim u theksua nevoja e fokusimit të të gjitha subjekteve politike në vend në politikat e zgjidhjeve, në vend të politikave të bllokadës dhe të prodhimit të keqkuptimeve, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin aktual politik të sigurisë globale.

Në të njëjtën kohë, u theksua rëndësia e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, në përputhje me politikat e vendeve të Evropës, në raport me situatën në Ukrainë dhe kontributin e vendit tonë, përmes politikave të miqësisë dhe dialogut, në stabiliteti rajonal.