October 4, 2024
Maqedoni

Kovaçevski: Maqedonia qëndron përkrah Ukrainës, agresioni rus duhet të ndaloj

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mbajti fjalim në Samitin e Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, para presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministrit të Ukrainës, Denis Shmigal, dhe përfaqësuesve nga Krimea si dhe liderë të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së, përfshirë dhe figurat më të larta të Unionit.

“Jam këtu për të konfirmuar mbështetjen e fortë dhe të qartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut: për karakterin unifikues të Ukrainës, për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe për paprekshmërinë e kufijve të saj”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai tregoi se me pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në samitin themelues të Platformës së Krimesë, vitin e kaluar, në këtë datë, Maqedonia e Veriut qartë dhe pa rezerva rikonfirmoi qëndrimin e saj në anën e mbrojtjes së humanizmit ndërkombëtar, për respektimin e normave që mbrojnë të drejtat e njeriut, të parashikuara në rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në vendimet e organizatave të tjera ndërkombëtare.

“Agresioni rus kundër Ukrainës është një shkelje e palejueshme e ligjit ndërkombëtar. Ne dënojmë fuqishëm sulmet ushtarake ndaj Ukrainës nga Federata Ruse dhe krimet e kryera nga forcat ruse kundër popullatës civile. Prandaj, Republika e Maqedonisë së Veriut u pozicionua qind për qind në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, në lidhje me luftën në Ukrainë, dhe ne iu bashkuam të gjitha masave kufizuese dhe sanksioneve kundër Federatës Ruse. Bashkimi në aktivitetet dhe politikat e BE-së dhe botës demokratike për ne do të thotë të qëndrojmë në anën e duhur, në momentin e duhur”, vlerësoi kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se fundi i luftës në Ukrainë nuk do t’i kthejë në jetë viktimat, por fundi i luftës, një ditë e më parë, do të parandalojë viktima të reja.

Do të japë edhe një shans për rehabilitimin e ekonomive botërore dhe kjo është e nevojshme dhe është pritshmëri e qytetarëve nga lidershipi politik.

Në Samitin e dytë të Platformës Ndërkombëtare për Krime, përveç kryeministrit Kovaçevski, morën pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Fatmire Isaki.