Shqipëri

Berisha: Beogradi e ka shtrirë sot influencën më shumë se kurrë në Shqipëri

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i bëri thirrje sot qytetarëve shqiptarë që të bëjnë gjithçka për ta dashur më shumë këtë vend.

Duke përkujtuar historinë e Shqipërisë, veçanërisht të Dibrës, Berisha paralajmëroi sot nga Homeshi i Bulqizës se “për fat të keq, ky armik tjetër që është Beogradi, e ka shtrirë sot influencën më shumë se kurrë në Shqipëri dhe ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka për ta dashur më shumë këtë vend, që këta fëmijë të rinj ta ndërtojnë këtu jetën e tyre, sepse pasuritë që ka Bulqiza, Peshkopia, mjaftojnë për shumë herë më tepër banorë që sot kanë këto treva.”

Në fjalën që mbajti me rastin e inaugurimit të Teqesë së re të Homeshit, krey i PD-së tha ndër të tjera:

Këtu, ne jemi në një trevë e cila ka sakrifikuar në tërë historinë e vendit, për interesin dhe çështjen kombëtare. Dua të falënderoj shumë Shpendin, pasardhësin e një familjeje me traditë, një familjeje që i ka bërë nder Dibrës dhe Shqipërisë, që është sot një nga biznesmenët shqiptarë më të suksesshëm në Itali, por është gjithashtu po aq i lidhur me këtë tokë dhe këtë vend sa ditën e parë që është larguar prej tij.

Vazhdon në traditën e shkëlqyer të familjes që në breza i dha emër të madh vetes, Dibrës dhe Shqipërisë dhe gjej rastin të shpreh mirënjohjen për këtë vepër i tejkalon përmasat e një bamirësie.

Sot ne jemi këtu për të nderuar për të festuar për të gëzuar, inagurimin e Teqes së re në Homesh, por mesazhet e saj janë të jashtëzakonshme.

Si për ne, për të gjithë shqiptarët, mendoj se mesazhi i parë sot dhe që është më aktual se kurrë, qëndron se ne duhet ta duam shumë këtë vend.

Teqet inspirojnë dashuri, paqe dhe besim. Vendi ynë ka nevojë të madhe, Homeshi, Dibra dhe Shqipëria sot kanë nevojë më shumë se kurrë për dashurinë tonë. Unë pasdite do të jem në Peshkopi. Kudo që të shkosh, kudo ka histori dashurie, sakrifice dhe qëndrese.

Pas largimit të armiqve shekullorë që e mbajtën të pushtuar Shqipërinë, një armik tjetër shekullor u shfaqej përballë me të cilin u përballën shqiptarët.

Për fat të keq, ky armik tjetër që është Beogradi, e ka shtrirë sot influencën më shumë se kurrë në Shqipëri dhe ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka për ta dashur më shumë këtë vend, që këta fëmijë e të rinj ta ndërtojnë këtu jetën e tyre, sepse pasuritë që ka Bulqiza, Peshkopia, mjaftojnë për shumë herë më tepër banorë që sot kanë këto treva.

Mundësitë e këtyre zonave janë shumë herë më të mëdha, kanë gjithçka, kanë malet, kanë tokën, ujërat, minierat, është pra një trevë shumë e pasur por si e gjithë Shqipëria edhe kjo braktiset, sepse një politikë e caktuar ka bërë që këto pasuri të mos jenë bekim për shqiptarët por në një farë mënyre edhe mallkim ndaj dhe le të na frymëzojë ne sot ky akt sa hyjnor aq edhe atdhetar për ta dashur më shumë Homeshin, Bulqizën, Dibrën dhe Shqipërinë. Edhe njëherë urimet më të përzemërta!”. syri.net