May 16, 2024
Maqedoni

Kovaçevski dhe Petkov realizojnë bisedë telefonike për aktet vandale tek varri i Goce Dellçev

Kryeministri bullgar Kirill Petkov ka kërkuar sqarime nga kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski rreth heqjes së shiritave nga kurorat e luleve të cilat pala bullgare i vendosi në varrin e Goce Dellçevit si dhe xhamin e thyer në qendrën kulturore bullgare “Ivan Mihajllov” në Manastir, shkruan Alsat.

Kryeministri Kovaçevski njoftoi se e ka informuar homologun e tij bullgar se policia heton rastin e parë kurse për të dytin është konstatuar se nuk ka prapavijë politike. Dy kryeministrat nuk kanë biseduar për kontestin mes vendeve, por pritet që kjo të bëhet në nivel tjetër gjatë ditëve të ardhshme.

“Ministritë për Punë të Jashtme do të kenë takim në datat 10 dhe 11 dhe do të punojnë në çështjet e hapura. Nëse arrihet përparim i cili normalisht do të jetë i pranueshëm për të dy palët në bazën e vlerave evropiane dhe respektimit të të dy palëve, si të shteteve ashtu edhe të qytetarëve atëherë Ministria e Jashtme do të komunikojë” , tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

YouTube video
E ndërkohë që përpilohen agjenda aktivitetesh mes dy vendeve, në Kuvend vazhdojnë përplasjet rreth deklaratës së VMRO-DPMNE-së për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit.

Deputeti Antonio Milloshoski nëpërmjet rrjeteve sociale njoftoi se deputetët e shumicës kanë lëshuar sallën duke mos pranuar që në Komisionin për politikë të jashtme të bisedohet për të. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se kjo deklaratë do të krijojë unitet mes partive për veprimtarinë dhe rëndësinë e Dellçevit në shtetëformimin e vendit.

LSDM-ja vlerëson se një deklaratë e tillë është në dëm të figurës dhe veprës së Dellçevit dhe se imponimet e VMRO-DPMNE-së padyshim synojnë të krijojnë përçarje në popullin maqedonas./ Alsat.mk