April 27, 2024
Maqedoni

Kovaçevski: Abstenuam sepse në rezolutë nuk përmendej sulmi i Hamasit

Vota “e përmbajtur” e Maqedonisë së Veriut për rezolutën e OKB-së që kërkon dhënien fund të luftës në Gaza, u realizua për shkak se i adresonte çështjet humanitare me të cilat pajtohen. Këtë shpjegim e ka dhënë kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili ka vlerësuar se mungesa e madhe e rezolutës ishte mospërmendja e sulmit të Hamasit më 7 tetor, të cilin ai e ka quajtur terrorist. Megjithatë, gjatë kësaj paraqitjeje, Kovaçevski nuk është dukur i vendosur për të dënuar qartazi edhe vrasjen e mijëra civilëve në Gaza gjatë sulmeve izraelite që po vazhdojnë ende

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Maqedonia e përkrah aspektin humanitar të rezolutës jordaneze, nevojën për mbrojtje të civilëve dhe qasjen e tyre deri tek nevojat elementare për jetë- rrymë, ujë, ilaçe. Nga ana tjetër mungesa e madhe e rezolutës ishte mos përmendja e aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor të cilin ne ashpër e kemi dënuar, si dhe të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur. Për këtë shkak edhe kemi votuar për amendamentin kanadez për rezolutën. Vendimi për të votuar nuk ishte i lehtë”.

Rezoluta e Kuvendit Gjeneral të OKB-së, ishte iniciuar nga Jordania dhe u votua me 120 vota “për”, 45 shtete ishin të përmbajtur mes tyre edhe Maqedonia e Veriut, ndërsa 14 ishin kundër.