May 3, 2024
Kosovë

Kosova pranon Mirënjohje në Venecia, ministrja serbe e “pakulturës” e lëshon sallën (VIDEO)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se pavijoni i Kosovës ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare në Bienalen e Venecias.

Çeku tha se kjo është hera e parë që Kosova merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013, teksa tha se “gratë e Kosovës e shkruajnë historinë”.

“Gratë e Kosovës shkruajnë histori. Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art. Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota:.

“Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, shkroi Çeku, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, në pamjet e siguruara nga Klankosova.tv, në momentin që ekipi i Kosovës ngjitet në skenë për ta marrë mirënjohjen, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, e ka lëshuar sallën.
Shkaku i këtij gjesti, shumë komentues në rrjetet sociale Gojkoviqin e kanë quajtur “ministre të pakulturës”, transmeton Lideri.mk.