April 29, 2024
Kosovë

Kosova pranon marrëveshjen për targat dhe uljen e tensioneve, Serbia ende jo

Gjatë gjithë ditës, nga orët e hershme të mëngjesit e deri vonë në mbrëmje, në Bruksel janë zhvilluar takime të njëpasnjëshme për të gjetur zgjidhje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Por kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nuk janë takuar mes vete. Ata kanë pasur disa takime radhazi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Në ato takime janë përfaruar qëndrimet që kanë sjellë deri te hartimi i një marrëveshjeje, e cila mundëson një zgjidhje të përkohshme për targat, por edhe për heqjen e njësive speciale të Kosovës nga pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, me kusht që të hiqen edhe bllokadat nga rrugët që çojnë në këto pikëkalime kufitare.

Por në orët e mbrëmjes ishte vetëm shefi i delegacionit të Kosovës për dialog, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ai që tha se është rënë dakord për draftin e marrëveshjes, duke shtuar se “ka mbetur që me këtë tekst të pajtohet edhe pala serbe”.

Bislimi pasi foli për gazetarët u nis për në aeroportin e Brukselit për t’u kthyer në Prishtinë.

Menjëherë pasi mediat njoftuan për prononcimet e Bislimit, nga BE-ja, por edhe nga ambasadat përkatëse amerikane – në Kosovë dhe në Serbi – erdhën prononcime se “takimet ende vazhdojnë” dhe se “akoma nuk ka marrëveshje” edhe pse ka “progres”.

Ajo që dihej ishte se takimet mund të kenë vazhduar me palën serbe, sepse delegacioni i Kosovës tashmë ishte larguar nga Brukseli. Kështu u bë e qartë se Beogradi kishte më shumë probleme për të pranuar disa pika të marrëveshjes në fjalë, dhe për këtë BE-ja dhe SHBA-ja e panë të rrugës që të dalin me njoftime se “ende po vazhdojnë takimet dhe përpjekjet”.

Zëvendëskryeministri Bislimi më vonë po ashtu u prononcua edhe një herë përmes rrjeteve sociale, duke thënë se “shpreson që pala serbe të bindet për ta pranuar të pandryshuar tekstin e draftit të marrëveshjes”.

Duke u bazuar në burimet e tyre nga Qeveria e Serbisë, në mbrëmje edhe mediat serbe njoftuan se “akoma nuk është arritur marrëveshja”.

Pra e gjithë ajo që dihej rreth zgjidhjes deri në orët e vona të mbrëmjes mbeti ajo që tha Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar, i cili u dakordua pothuajse në tërësi dhe ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final. Nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.

Më tej ai tha se, sipas asaj draft-marrëveshjeje, të shtunën, më datën 2 tetor, forcat e KFOR-it do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, dhe disa orë pas vendosjes së tyre do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe zhvendosja e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Sipas fjalëve të tij, tërheqja e njësive speciale do të ndodhte vetëm pasi të hiqeshin edhe barrikadat nga rruga.

Pjesa tjetër e marrëveshjes, gjithnjë sipas Bislimit, parasheh që nga e hëna, më 4 tetor, në orën 08:00, të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të letrave ngjitëse, me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetar i Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë më nevojë të heqë tabelat e tyre dhe të vendosin ato të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

Bislimi tha po ashtu se do të formohen edhe grupe punuese që do të punojnë në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për targat dhe ato grupe do të nisin punën nga fundi i muajit tetor. Sipas tij, marrëveshja do të jetë e përkohshme dhe do të kërkohet një zgjidhje afatgjate që do të siguronte lirinë e lëvizjes.

Gjatë ditës së mërkurë në Bruksel kishte qëndruar edhe zëvendësndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar. Ai ishte takuar herët në mëngjes me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar tha se ndodhet në Bruksel për të mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar, duke shtuar se palët duhet t’i kthehen dialogut për të zgjidhur përmes tij të gjitha çështjet e hapura mes tyre.

Në fund të ditës, mediat serbe raportuan se takimi i të dërguarit të BE-së Lajçak me zyrtarin serb Petkoviq ka përfunduar dhe Beogradi ende nuk e ka pranuar marrëveshjen e propozuar. Sipas agjencisë shtetërore serbe Tanjug, takimi i delegacionit serb me Lajçakun ka mbaruar në orën 21:00, Qeveria e Serbisë nuk është dakorduar ende me draft-marrëveshjen, ndërsa nuk dihet nëse bisedimet do të vazhdojë të enjten./Koha.net