May 7, 2024
Kosovë

Kosova nuk është më pala që lëshon pe, Osmani kategorike: Sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se fillimisht duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë, pastaj të fillohet me dialog, në samitin e liderëve evropianë në Spanjë.
“Nuk ka arsye për t’u takuar para se të ndërmerren sanksionet ndaj Vuçiqit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat”.
“Jam këtu për të kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për të sanksionuar Serbinë”, tha ajo.
Osmani ka theksuar se nuk ka të konfirmuar takime të veçanta me liderë, por se shpreson që për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të flasë në samitin e hapur për të gjithë ata.

“Nuk kemi takime të ndara të konfirmuara, por jam e sigurt se do ta kem mundësinë sepse shumica e diskutimeve në këtë samit do bëhen derisa jemi të gjithë në sallë, prandaj shpresoj se do ta kem mundësinë të diskutojmë për këto”, ka shtuar ajo.
Osmani është shprehur optimiste edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe dënimin e veprimeve të Serbisë.

“Spanja është shtet që po kontribuon në paqe dhe stabilitet në tërë kontinentin, shpresoj se do ta kuptojnë se mbështetja e një agresori për të cilët ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj se Spanja do ndjekë linjën e shteteve të tjera që të marrin masa kundër Serbisë për këtë akt që ka kryer jo vetëm ndaj Kosovës por edhe kundër paqen dhe sigurisë së tërë Evropës”.