Kosova, një luftë e pa përfunduar në Mitrovicë
Nga Shqiprim Pula
E kemi shkelur dekadën e tretë të shekullit XXI dhe vazhdojmë të jemi në luftë, e pushuar si front luftimesh, por të pa mbaruar përmes një Traktati Paqeje.
Qysh në Qershor të 1999-tës, Mitrovica doli e ndarë në mënyrën se si mbeti si qytet dhe befas Serbia ngriti struktura të caktuara, herë si rrojet e urës e herë si mbrojtja civile, si përpjekje të saj për të administruar qytetin e veriun si tërrësi.
Për dy vite mësimdhënie tek një kolegj Universitar në Mitrovicë, e kam parë e ndjerë ndarjen, këndej e andej lumit Ibër.
Njëzet e sa vite pas lufte, e katërmbëdhjetë pas shpalljes së mëvetësisë, paradoksi ekziston tek shteti ynë. Nuk do mend se shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje, e thjeshta dhe më logjikja vazhdon të mbetet, po ku ishte SHTETI?! ku ishte shteti, që praktikisht nuk e evitoi zbrazjen e qytetit nga qytetarët shqiptarë matanë lumit Ibër? e, më e pakta çfarë mundi të bëhej ishte që institucionet tona shtetërore të ndërhynin lidhur me çështjen e pronave, të u’a pagunte qiratë të zhvendosurve shqiptarë në jug, që të mos i shisnin pronat në veri, por, paradoksalisht të shumta janë pronat të cilat i blente shteti serb!. E, për çudi, “dikush” e bleu edhe heshtjen dhe mosveprimin institucional të politikanëve tanë në Prishtinë. Pra, ne, nuk patëm vizion e vullnet, e as ide politike të mirëfilltë për një model ekonomik apo platformë sociale për zhvillimin e qytetit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se mënyra si u organizua mafia në veriun e vendit, e lejuar heshturazi nga politikanë të të dyja etnive atje për vite me rradhë, ka minuar edhe të ardhmen e qytetarëve të asaj pjese të republikës. E, për rrjedhojë, kishte edhe mungesë të shtrirjes institucionale, të autoritetit qëndror shtetëror e sovranitetit territorial. Atje, në Mitrovicë, e në gjithë veriun, fatkeqësisht, nuk gjente zbatim kushtetuta e republikës e as simbolet shtetërore të Kosovës.
Pse mungesa e një Traktat Paqeje e ka pamundësuar njohjen e ndërsjelltë dhe vështirësuar procesin e dialogut? Traktati i Paqes në mes Kosovës e Serbisë, si palë ndëluftuese, do u’a mundësonte krijimin e besimit në premtimin për të ardhmen paqësore; do e mundësonte një kthesë politike të rëndësishme mbi ngjarjet e të kaluarës; do e bënte të mundur kthimin e gjithë asaj që është vjedhur nga Serbia; do e krijonte mundësinë e rehabilitimit historik mendor dhe emocional të popullatës serbe lidhur me pretendimet mbi Kosovën; do e mundësonte procesin e kompensimit të të gjitha dëmeve të luftës; do e mundësonte pajtimin e popujve dhe përfundimisht do vendoseshin garancitë për mospërsëritje të luftimeve. E, një nga shembujt e tillë, e kemi në pasluftën e dytë botërore, kur ShBA-ja, u’a kërkoi Gjermanisë dhe Japonisë një gjë të tillë, madje të dyja ndryshuan dhe kushtetutat e tyre për të garantuar paqen dhe evituar luftëra të tjera.
Dialogu me Serbinë i filluar si teknik më 2011 e më pas politikë nga 2012-ta, për shumë tema të ndërsjella, e të konkluduara edhe me marrëveshje në Bruksel, po shumë prej tyre të pa zbatura, është si rezultat i mosbesimit dhe mosrehabilitimit politikë historik. Prandaj dhe, Serbia përgjatë procesit të dialogimit ka këmbëngulë të mos e njohë mëvetësinë e Kosovës, ka penguar Kosovën në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë dhe ka vazhduar t’a bëj temë statusin e Mitrovicës dhe veriut si tërësi, duke shfaqur hapur pretendimin territorial mbi Kosovën. Bindja për një Traktat Paqeje ndërmjet palëve ndërluftuese, do t’a përmbyllte luftën ligjërisht, do e mundësonte njohjen reciproke dhe të tërësisë territoriale si dhe do të përfundonte lufta e pa përfunduar në Mitrovicë.
Andaj, bindja, për t’a bërë paqen me Traktat është po aq i rëndësishëm sa vendimi për t’a bërë luftën. Madje, ka një thënie të presidentit amerikan Wilson; “çdo luftë duhet të përfundojë me paqe”.
Kurse ne, filluam të bisedonim me Serbinë kur ndaluam luftimet por pa e arritur paqen me Traktat.