May 2, 2024
Maqedoni

Koronavirusi, 15 të vdekur dhe 1 216 të infektuar në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit janë bërë 3.761 testime, ndërsa janë regjistruar 1.216 raste të reja të të infektuarve nga Kovid19. Me këto shifra, rezultatet pozitive nga numri i përgjithshëm i të testuarve rikthehen përsëri në përqindje të larta, apo 32.3% nga testimet e ditës së fundit. Edhe në rezultatet e sotme, gjysma e rasteve të reja apo 624 të infektuar vijnë nga Shkupi, ndërsa pas kryeqytetit me numrin më të madh pasojnë Prilepi, Manastiri, Velesi, Kumanova, Tetova, Kavadari dhe qytetet e tjera. Gjatë 24 orëve të fundit janë rregjistruar 111 të shëruar, ndërsa nga korona virusi kanë ndëruar jetë 15 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë

“Janë regjistruar 15 persona të vdekur të moshës 53 deri në 94 vjet edhe atë 6 pacientë nga Shkupi, nga dy persona në Prilep, Tetovë dhe Koçar dhe nga një kanë vdekur në Kumanovë, Manastir dhe Krushevë. Prej tyre 14 pacientë kanë ndërruar jetë në spitale dhe një në kushte shtëpiake”

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se që nga paraqitja e korona virusit në vendin tonë, deri më tani janë testuar mbi gjysëm milion qytetarë, pozitiv kanë rrezultuar 116.438 persona, 99.126 janë shëruar ndërsa 3.403 kanë ndërruar jetë. Aktualisht në Maqedoninë e Veriut janë 13.909 raste aktive me Kovid19. Ndërkohë ministria e shëndetësisë ka njoftuar sot se në kuadër të bllokut klinik “Nëna Terezë” në Shkup dhe spitalit “8 shtatori”, janë shtuar kapacitetet për hospitalizim të pacientëve me Kovid19. Në përdorim është lëshuar edhe pjesa e Klinikës për traumatologji në TOARILUC me 25 shtretër spitalor. Në klinikën për kirurgji plastike dhe Klinikën për kirurgji torakale janë siguruar 50 shtretër, por ndërkohë klinika e kirurgjisë torakale vazhdon me punën normale për rastet urgjente. Ndërhyrjet kirurgjikale për momentin janë reduktuar dhe kryhen vetëm operacione urgjente dhe operacione për gjendjet malignje.

Ministria e Shëndetësisë

“Pjesa e patologjisë në Klinikën për kirurgji plastike transferohet në spitalin Shën Naumi i Ohrdit në Shkup. Kapacitet shtesë për pranimin e pacientëve me Kovid përgaditet edhe në Klinikën për kardiologji ku për të sëmurit me Kovid do të sigurohen 50 shtretër. Me këtë riorganizim të kapacitetet e Qendrës klinike rriten për gjithsej 100 shtretër”.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se në spitalin “8 Shtatori” do të hapet repart shtesë me 25 shtretër për pacientë me Kovid, ndërsa aty do të zvoglohet proprami kirurgjikal dhe do të kryhen vetëm operacione urgjente dhe për sëmundje malignje të cilat nuk mund të shtyhen. Në qendrat e kovidit në qytetet e tjera ministria e shëndetësisë njofton se ka numër të mjaftueshëm të shtretërve dhe kapacitetet në spitale nuk janë të mbingarkuara.