Ky është një realitet i dhimbshëm që e kemi parë të përsëritet në shumë procese të rëndësishme kombëtare, kulturore e arsimore ndër dekada. Kjo ndodh kur historia shkruhet nga ata që ishin lojal ndaj pushtetit monist, por edhe nga ata që keqpërdorën fondet kombëtare, që flasin më shumë, e jo nga ata që i kontribuuan arsimit shqip duke sakrifikuar çdo gjë nga vetja.
Ashtu siç minimizohen dhe heshten përpjekjet dhe kontributi i atyre që hapën paralelet e gjimnazit në vitin 1991, pa pëlqimin e pushtetit të kohës, në shkollën fillore “Vëllazërimi” (sot “Naim Frashëri”), me iniciativën e kolektivit dhe guximin e atdhetarit që në atë kohë ushtroi detyrën e drejtorit, unë vetë, i mbështetur fuqimisht nga stafi arsimor, nuk u lëkundëm për asnjë çast përballë presionit të inspektorëve arsimorë dhe organeve policore, të cilët për më shumë se gjashtë muaj kërcënonin me mbyllje.
Ata nuk ia dolën, falë unitetit të kolektivit, mbështetjes së prindërve dhe qytetarëve arsimdashës. Paralelet e gjimnazit në gjuhën shqipe qëndruan në këmbë, dhe me kontributin tonë, si dhe stafit të mrekullueshëm që pata përkrah, u arrit që deri në vitin 1994/95 të hapen paralele në të gjitha qendrat e shkollave të mesme – ku edhe sot funksionojnë plotësisht.
Kjo histori rrezikon të harrohet, ose edhe më keq – të përvetësohet nga ata që në atë kohë nuk guxonin as të përmendnin arsimin shqip.
E njëjta logjikë heshtjeje është ndjekur edhe me hapjen e Fakultetit në gjuhën shqipe
Një tjetër rast i rëndësishëm që po kalon në heshtje, është hapja e Fakultetit “AB” me mësim në gjuhën shqipe në Kumanovë, në fund të vitit 2007/2008.
Një ndër kontribuesit kyç, me përkushtim, këmbëngulje dhe vizion afatgjatë, ishim ne së bashku me një staf të mrekullueshëm. I njohur si ikona e arsimit shqip, këtë mision e ndërmorëm për të plotësuar një kërkesë të kahershme të shqiptarëve të kësaj ane.
– Sot, këto ngjarje ruhen më së miri përmes arkivit tim personal, por edhe në Arkivin Shtetëror, me mbi 1,750 dokumente autentike, që dëshmojnë përpjekjet institucionale, takimet, pengesat, refuzimet dhe premtimet e parealizuara, deri te hapat konkretë për realizimin e këtij misioni të madh arsimor.
Këto dokumente nuk janë thjesht letra, janë dëshmi të gjalla të një sakrifice kolektive, për të siguruar një të drejtë bazë: arsimimin në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet – deri në atë universitar – aty ku dikur kjo tingëllonte si një ëndërr e pamundur.
Por sot… sërish heshtje.
Si gjithmonë, “rrahagjoksit” nuk gjenden askund.
Ndërsa ata që kontribuuan realisht, heshtin.
Jo nga frika.
Jo nga mungesa e fakteve.
Por nga përulësia profesionale dhe dinjiteti i njerëzve të vërtetë.
Fjalën duhet ta kenë faktet, jo propaganda.
Është detyrë e brezit të sotëm dhe të ardhshëm, por veçanërisht e historianëve të mirëfilltë, që kjo periudhë të mos mbetet në harresë, e aq më pak të shtrembërohet.
Është koha që kjo pasuri dokumentare të botohet në libra, të kthehet në monografi, ekspozita dhe arkiva publike, për të nderuar të kaluarën dhe për të edukuar të ardhmen.
Sepse:
Ndryshimi nuk vjen nga propaganda, ndryshimi vjen nga guximi.
Kumanovë, Shtator 2025
Prof. Etem Xheladini