Rajon - Botë

Konferencë në Bon të Gjermanisë, IGFM kthehet fuqishëm me aktivitetet e veta në Ballkan

Në Bon të Gjermanisë po zhvillohet konferenca e rregullt e Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (IGFM) me prezencë të seksioneve të veta nga mbarë bota.

Konferenca që tradicionalisht mbahet çdo dy vite, për shkak të pandemisë kësaj radhe po mbahet pas një pauze katër vjeçare.

Konferenca sivjet zhvillohet me moton “ 75 vjetori i Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, si t’i mbrojmë të drejtat e njeriut”, kurse në fokus të saj ishte gjendja në Ukrainë.

Në konferencë prezanton edhe delegacioni nga Ballkani me koordinatorin Isriz Sinani nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut.

“Konferenca ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe u zhvillua në moment të duhur, sepse patem rastin të koordinohemi dhe të meremi vesh për aktivitetet tona në një kohë kur Evropa dhe mbarë bota po përballet me stagnim, madje edhe regres të drejtave të njeriut, kryesisht për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Ukraina zaten ishte tema qendrore e kësaj konference, ku patëm edhe një paraqitje live të koordinatorit tonë në Kiev. Për shkak të rrethanave, ai nuk ishte në gjendje të prezantojë, por pati mundësi përmes kësaj konference ti drejtohet mbarë botës me një apel mjaft emocional që mos ta harrojmë Ukrainën. Siç e din opinioni, IGFM poashtu organizon edhe shpërndarje të ndihmave humanitare, prandaj kjo konferencë ishte rast i mirë të organizohemi edhe në atë drejtim. Kyçje live, për shkak të pamundësisisë për të prezantuar pati edhe përfaqësuesja jonë në Iran, e cila foli për vështirësitë me të cilat po përballen proceset demokratike në atë vend”, thotë Idriz Sinani, koordinator i IGFM për Ballkan.

Pjesëmarrjen në konferencë ai e vlerëson si shumë të suksesshme, sepse ka pasur mundësi pas një periudhe të gjatë të takojë dhe të koordinohet me kolegët nga mbarë bota. Konferenca ka përfunduar me një lajm të mirë për IGFM-në në Ballkan.

“U dakorduam me kryesinë qendrore që të shpallen zgjedhje në disa seksione në Ballkan, ku për fat të keq është vërejtur pasivizim i veprimit të IGFM në vitet e fundit. Unë si koordinator do ta udhëheqë këtë proces”, theksoi Sinani gjatë bisedës me reporterin e portalit Lideri.mk që ka mbuluar direkt nga Boni këtë konferencë të rëndësishme.

Konferenca ishte mundësi e mirë që edhe një herë të shpalosen problemet me të cilat po përballen vendet e Ballkanit sa i përket kapaciteteve të tyre demokratike.

“Theksova se ende nuk janë zgjjdhur rastet e montuara kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Theksova se shumë nxënës shqiptarë nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën e mësimit në gjuhën amtare as në shkollë fillore, kursr shumë prej tyre nuk kanë shkolla në vendbanimet ku jetojnë”, shton Sinani.

Lidhur me problemet e shqiptarëve në Serbi, zërin në këtë konferencë e ngriti kryetari i IGFM-së në këtë shtet, profesor Rexhep Abazi nga Medvegja.

“Problemet e shqiptarëve në Serbi janë të shumta, por si problen kryesor në të gjitha takimet që pata theksova çështjen e pasivizimit të adresave, proces përmes të cilit Serbia po bën ‘shfarosje’ zyrtare të shqiptarëve që jetojnë në Lugunë dhe në Medvegjë. Sa për shembull, përmenda se në Medvegjë me regjistrimin e fundit në Serbi janë registruar 1.200 shqiptarë, kurse me siguri mund të them se numri real i shqiptarëve me shtetësi serbe në komunën tonë duhet të jetë së paku pesëfish më i madh”, thotë Abazi për Lideri.mk.

Prof. Rexhep Abazi, kryetar i IGFM në Serbi

Përfaqësuesit e degës së IGFM në Shkodër, Nderc Doda dhe Nikollë Avdia, poashtu e kanë mirëpritur lajmin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për udhëheqës të rinj dhe organe të reja të IGFM-së në disa vende të Ballkanit, duke përfshi Shqipërinë.

“IGFM me sukses ka funksionuar në Shqipëri vite me radhë, por vitet e fundit sikur kemi pasivizim të veprimtarisë sonë. Mendojmë se organizimi i zgjedhjeve, siç na njoftoi koordinatori Sinani, do të sjellë një gjallëri më të madhe të veprimit”, shprehen Doda dhe Avdia.


Ndrec Doda dhe Nikoll Avdia, Përfaqësues të IGFM nga Shkodra

Konferenca vazhdon punimet edhe në ditën e dytë të saj, me tema nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut në mbarë botën dhe ndihmat humanitare për rajonet e prekura nga kriza të ndryshme.