Komuna e Çairit premton që “së shpejti” do t’i transmetojë drejtpërdrejtë seancat e Këshillit Komunal
Komuna e Çairit ende nuk ka filluar me transmetim të drejtpërdrejtë të seancave të Këshillit Komunal në kanalet online, ashtu siç ka premtuar kryetari Visar Ganiu. Prej komunës thonë se kanë siguruar pajisjet e nevojshme për këtë qëllim dhe së shpejti do të caktojnë dhe person përgjegjës, shkruan Portalb.mk.
“Njëri ndër prioritetet sa i përket transparencës dhe llogaridhënies janë edhe transmetimi i seancave të këshillit të komunës në kohë reale me ç’rast qytetarët do ta kenë mundësinë e të njihen me problemet reale të komunës”, ky është premtimi i Visar Ganiut në pjesën “Transparencë përmes digjitalizimit” të programit zgjedhor për qeverisje me Komunën e Çairit 2021-2025 nën moton “Zgjidh jetë voto blertë”.
Ganiu më 5 nëntor e mori mandatin e dytë në krye të Komunës së Çairt dhe prej atëherë kanë kaluar më shumë se 14 muaj dhe ende nuk e ka realizuar premtimin e dhënë, për të cilin, në programin zgjedhur nuk shkruhet afati i realizimit.
Portalb.mk e pyeti Komunën e Çairit se për [farë arsye nuk transmetohen drejtpërdrejtë (me video) seancat e Këshillit Komunal, ndërkaq prej komunës thonë se janë siguruar pajisjet dhe së shpejti seancat do të duhet të transmetohen online.
“Komuna e Çairit përmes një donacioni të UNDP ka siguruar pajisjen e përshtatshme për emetim të drejtpërdrejtë të seancave të Këshillit Komunal. Së shpejti do të caktojmë person përgjegjës për menaxhimin e pajisjes në fjalë dhe mundësimin që seancat e këshillit qytetarët të mund t’i ndjekin edhe në kanalet zyrtare online”, thonë nga Komuna e Çairit.
Këshilli i Komunës së Çairit
Këshilli i Komunës së Çairit
Në ueb-faqen e Komunës së Çairit lehtësisht mund të gjenden të dhëna për përbërjen e Këshillit Komunal, por edhe të Fletores Zyrtare të Komunës së Çairit, e cila botohet sipas nevojës, gjegjësisht publikohen dhe vendimet e Këshillit.
Në një tekst të Portalb.mk të publikuar më 22 nëntor të vitit 2022, në lidhje me transparencën dhe nivelin e hapjes së Këshillit Komunal të Çairit, këshilltari nga partia Alternativa, Beqir Ismaili, u ankua për mungesë të transparencës nga ana e kryesisë së komunës.
“Çështjen e transmetimit dhe përdorimit të pajisjeve për transmetimin të drejtpërdrejtë online ne e ngremë në çdo seancë, sepse duhet ta dëgjojmë zërin e qytetarëve. Dhe mund të them që transparenca është minimale. Nuk sigurohen materialet e plota. Nuk ndahet asnjë detaj. Komuna është e mbyllur. Sikur të kishte një sistem të vërtetë shtetëror dhe juridik, do duhej të jepej përgjegjësi”, është përgjigjur me shkrim këshilltari Beqir Ismaili.
Transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave të Këshillit Komunal do të mundësonte që qytetarët e Çairit të njihen më nga afër me aktivitetet e komunës dhe të informoheshin në mënyrë më të detajuar dhe në kohë reale se [farë vendime sjell komuna dhe si ato ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
Momentalisht transmetim të drejtpërdrejtë të seancave të këshillit komunal bën Komuna e Tetovës, Gostivarit, Manastirit.