April 28, 2024
Maqedoni

Ajo u bë kryetarja e parë grua e bashkisë së Berlinit që nga viti 1951 – Giffeyt doktoratura i ishte anuluar shkaku i plagjiaturës

Franziska Giffey, një zyrtare e Partisë Social Demokratike të Gjermanisë (SPD), u zgjodh kryetare e re e bashkisë së Berlinit gjatë një sesioni të Dhomës së Përfaqësuesve të Berlinit sot, duke e bërë atë kryebashkiakun e parë grua të kryeqytetit gjerman që nga viti 1951.

Zyrtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të qytetit të Berlinit dhanë sot 84 vota për emërimin e Giffey në këtë post, ndërsa 52 zyrtarë votuan kundër emërimit të saj.

SPD gjermane fitoi zgjedhjet në shtator dhe Berlini do të qeveriset nga një koalicion i SPD, të Gjelbërve dhe të Majtës, partia e krahut të majtë ekstrem në Gjermani.

Pas emërimit në këtë detyrë, Giffey tha se Berlini dhe ajo kanë shumë punë për të bërë në periudhën e ardhshme, veçanërisht në aspektin e ndryshimeve klimatike dhe tranzicionit në transport.

“Këto janë detyra serioze me të cilat përballemi dhe ne duam t’u qasemi atyre me respekt, guxim dhe besim. Unë i shoh vitet në vazhdim si një kohë zgjimi, rinovimi, investimi, përparimi dhe tejkalimi i krizave të mëdha”, tha Giffey, raporton dw.

Përveç që Giffey u bë kryetarja e parë e bashkisë që nga viti 1951, emërimi i saj në Berlin do të menaxhohet për herë të parë nga dikush i lindur në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë Lindore (RDGJ).

Kur bëhet fjalë për karrierën e saj politike, Giffey deri më tani ka marrë pjesë në politikën gjermane përmes një sërë funksionesh. Brenda pak vitesh, kryetari i ri i bashkisë së Berlinit u bë nga këshilltare arsimore në rrethin Neukölln të Berlinit, në ministër federale në Ministrinë e Familjes.

Në maj të këtij viti, Giffey dha dorëheqjen si ministre, pasi doktoratura e saj u anulua dhe akuzat për plagjiaturë u konfirmuan.