Komisioni Europian i ashpër, Gir: Drejtpërdrejt i theksoi rreziqet nga ndryshimet në Kodin Penal
Nuk qetësohen reagimet në opinion për ndryshimet në Kodin Penal. Eurombasadori Dejvid Gir tregoi qartë se Komisioni Europian ka reaguar në lidhje me përdorimin e flamurit europian, por para se gjithash se çfarë mund të shkaktojnë ndryshimet e tilla.
“Deklaratën e javës së kaluar të Komisionit Europian lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, në radhë të parë për përdorimin e flamurit europian, gjë që ata e konsiderojnë joadekuate sepse është një nga çështjet që duhet diskutuar. Dhe gjithashtu rreziku i identifikuar nga Komisioni që ndryshime të tilla mund të çojnë në rritje të mosndëshkimit. Ne duam që vendi të përparojë me shpejtësi në sferën e sundimit të së drejtës, qytetarët kanë të drejtë ta kërkojnë këtë dhe Komisioni Europian ka të drejtë ta kërkojë këtë nga një vend kandidat”, deklaroi Dejvid Gir, euroambasador.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat në opinion po ngrihen akuza se kush ka pasur takime të fshehta me ish-kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, kreu aktual i partisë opozitare Hristijan Mickoski tha se asnjëherë nuk ka pasur takime të fshehta dhe se opinioni e ka dëgjuar nga Ali Ahmeti se kush ka mbajtur takime të fshehta.
“Nuk kam pasur asnjëherë takime të fshehta, as tani, as në të ardhmen, keni dëgjuar nga Ali Ahmeti se kush është ai që ka pasur takime të fshehta dhe kush janë ata që kanë pasur takime të fshehta. VMRO-DPMNE dhe Maqedonia në këtë moment kanë opsionin ose të zgjedhin drejtimin mes Bashkimit Demokratik për Integrim, LSDM-së dhe ish strukturave të pakta të VMRO-DPMNE-së dhe takimet e tyre të fshehta dhe të vazhdojnë të zhyten në krim e korrupsion dhe humbje kombëtare ose t’i zgjedhin reformat”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Në anën tjetër, LSDM thotë se VMRO-DPMNE po ballafaqohet me probleme dhe me përçarje brenda partisë. Edhe pse opozita këto ditë akuzon se qeveria ka marrëveshje të fshehta me Gruevskin, nga partia në pushtet thonë se në fakt Mickoski ka marrëveshje të fshehta me ish-liderin e VMRO-DPMNE-së.
“Publiku ende pret përgjigje nga Mickoski për marrëveshjet me Gruevskin. A i fsheh kjo kërkesat për amnisti të bashkëpartiakëve të tij, për shkak të pakënaqësisë me të brenda partisë së tij? Mickoski është një kopje e zbehtë e Gruevskit. Politika e bllokadës së Mickoskit është gjithashtu vetëm një kopje e origjinalit dhe është e qartë se ka struktura në DPMNE që nuk janë të kënaqura me të”, theksoi Bogdanka Kuzeska zëdhënëse e LSDM-së.
Në një intervistë për TV21, kreu i integristëve Ahmeti tha se ka pasur takime të fshehta mes tij, Zaevit, Gruevskit për ndryshimin e Kodit Penal. Këtë deklaratë për takime e kanë mohuar edhe Zaev edhe Gruevski./TV21