May 5, 2024
Sport

Kombëtarja, nis java që dikton fatin e ëndrrës Euro 2024

Në krahët e ëndrrës kuqezi, me misionin për të shkuar mes më të mirëve të Europës në Gjermani 2024, nis një javë e rëndësisë maksimale për skuadrën më të dashur të të gjithë shqiptarëve, kombëtaren kuqezi!

Dy ndeshje vendimtare në harkun e pak ditëve, me Republikën Çeke në Pragë në 7 shtator, dhe 3 ditë më pas, në “Air Albanian” e tejmbushur thuajse 23 mijë shpirtra frymojnë në mbështetje të skuadrës së Sylvinhos ndaj Polonisë.

Luajmë ndaj rivalëve kryesore të grupit eliminator, pikërisht për këtë arsye janë këto sfidat që vendosin. Llogaritë e grupit, ku Çekia kryeson me 7 pikë, Shqipëria ndodhet e dyta me 6, dhe Polonia me 3 pikë në vendin e 4, diktojnë se sfida me Lewandowskin me shokë është më e rëndësishmja, për t’u kualifikuar mjafton vendi i dytë dhe na duhet të mbajmë pas Poloninë, por këto janë llogari që nuk bëhen para një sfide si ajo me çeket, ku kuqezinjtë do të kërkojnë maksimumin për të maksimalizuar shanset e kualifikimit, duke shkuar pastaj me frymën e duhur në sfidën me polakët.

Kombëtarja vjen në formë, fitoret e qershorit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe më shumë se sa entuziazëm kanë mbrujtur shpresë dhe bindje se kjo skuadër në drejtimin e Sylvinhos po ecën në binarët e duhur, edhe pse dy ndeshjet e radhës do të jenë shumë ndryshe.

Përballë rivalëve si Çekia dhe Polonia, Shqipëria nuk do të ketë obligimin e imponimit të lojës, edhe pse diçka e tillë do të ishte perfekte, të rëndësishme janë pikët. Janë dy sfida të vështira, Çekia është pjesëmarrëse e rregullt në fazën finale të kampionateve të Europianit, ndërsa vlerat teknike të Polonisë me lojtarë të klasit botëror si Lewandowski, Zielinski apo Sczezny dihen, por Shqipëria i ka mundësitë për të bërë mirë.

Ndryshe nga ndeshjet e qershorit Sylvinho nuk do të ketë shumë kohë për t’i përgatitur, me grumbullimin që nis vetëm këtë të hënë, por elementët e grumbulluar vijnë në formë të mirë dhe besimi për të përsëritur një arritje në kufijtë e epikes si ajo e Francë 2016 është i madh, fjalën e kanë kuqezinjtë, një popull i tërë këtë javë është me zemrën dhe sytë nga ta!