Protesta e paralajmëruar nga kryetari i BDI Ali Ahmeti, kundër Gjykatës Speciale të Hagës, ka ndezur një debat të fortë dhe kritika të ashpra brenda radhëve të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nuhi Mustafi, ish komandant Sollana, ka reaguar me një status në Facebook, duke akuzuar drejtpërdrejt BDI-në se po fshihet pas uniformës së UÇK-së për qëllime politike, sidomos tani që ndodhen në opozitë.

Komandant Sollana shkruan se protesta e 13 dhjetorit në Shkup, ndonëse formale kundër Gjykatës Speciale, është në thelb një manovër e BDI-së për të rifituar pikë politike. Akuzat më të rënda lidhen me heshtjen e BDI-së gjatë kohës që ishte në pushtet.

“BDI po përpiqet të rikthehet në skenë duke u fshehur pas uniformës së UÇK-së, por historia nuk fshihet me një protestë të vonuar. Kur komandantët dhe ish ushtarët burgoseshin në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe partia e tij mbanin pushtetin dhe heshtnin sikur drejtësia ishte çështje protokolli. Nuk pati zemërim, nuk pati revoltë, nuk pati asnjë marshim,” shkruan ish-ushtari.

Ai vë në pikëpyetje sinqeritetin e protestës, duke theksuar se BDI-ja nuk tregoi asnjë shqetësim real për fatin e bashkëluftëtarëve kur kishte mundësinë të ndërhynte, ndërsa sot po e përdor këtë çështje për nevoja personale.

Ish-ushtari e sheh protestën si të vonuar dhe të instrumentalizuar, duke nënkuptuar se e drejta nuk mund të kërkohet vetëm atëherë kur i shërben interesit personal apo partiak.

“Kjo protestë nuk duket si thirrje për drejtësi por si tentativë për rikthim politik. E drejta nuk kërkohet me vonesë, e aq më pak kur përdoret si dekor elektoral. Kush e ka ndier vërtet peshën e UÇK-së duhej të kishte folur atëherë kur duhej, jo sot që llogarit pikë politike. Dy dekada heshtje nuk mund të lahen me një megafon.”, shkruan Nuhi Mustafi, ish komandant Sollana.

sqShqip