Etem Xheladini
Koha nuk i ndryshon njerëzit, ajo ua heq maskat. Nuk e krijon as virtytin, as vesin, por i nxjerr në dritë ashtu siç kanë qenë gjithmonë, të fshehur pas rrethanave, pushtetit, frikës apo interesit. Në momentet vendimtare të historisë, koha shndërrohet në gjykatësin më të pamëshirshëm dhe në pasqyrën më të ndershme të karakterit njerëzor.
Që nga Aristoteli, i cili e shihte karakterin si zakon të përsëritur, e deri te Kanti, që e lidhte moralin me përgjegjësinë individuale, filozofia na mëson se njeriu zbulohet jo në fjalë, por në qëndrime. Pikërisht aty ku pushteti testohet dhe frika sfidohet, njeriu del nga hija dhe shfaqet ashtu siç është.
Ali Asllani, me qartësinë e mendimtarit dhe guximin e poetit, shprehej:”Ndjej keqardhje kur shikoj njerëz me pushtet që, për të qeverisur vetë deri sa t’i ndajë vdekja nga kolltukët, jo vetëm që kanë bërë gjithë botën armike, por kanë bërë kurban edhe gjithë popullin.” Kjo thënie nuk është relike e një epoke të kaluar, ajo është diagnozë e përhershme e sëmundjes së pushtetit të pakontrolluar. Sa herë pushteti shndërrohet në pronë personale e klanore dhe jo në përgjegjësi publike, shoqëria hyn në krizë morale.
Historia na dëshmon se shoqëritë nuk shkatërrohen domosdoshmërisht nga ngritja e të këqijve. Të këqijtë kanë ekzistuar gjithmonë. Shoqëritë rrënohen atëherë kur të mirët heshtin.
Hanah Arendt e quante këtë “banaliteti i së keqes”, jo sepse e keqja është gjithmonë monstruoze, por sepse shpesh ushqehet nga heshtja, konformizmi dhe mosveprimi i njerëzve të zakonshëm.
Heshtja nuk është neutralitet. Heshtja është zgjedhje. Dhe çdo zgjedhje ka peshë morale. Kur njerëzit me dije, ndërgjegje dhe integritet zgjedhin rehatinë e heshtjes në vend të barrës së fjalës së drejtë, ata i hapin rrugë normalizimit të padrejtësisë. Heshtja e tyre shndërrohet në bashkëfajësi, ndërsa e vërteta mbetet pa mbrojtje. Kur padrejtësia bëhet normë dhe e vërteta relativizohet, shoqëria lodhet jo vetëm ekonomikisht, por mbi të gjitha moralisht. Populli i varfëruar dhe i zhgënjyer shpirtërisht nis të kërkojë “shpëtimtarë”. Në këtë vakum racional, gjuha radikale dhe emocionale zë vendin e arsyes, ndërsa premtimet boshe shiten si shpresë. Kështu lind terreni ideal për demagogët, të cilët ushqehen me frikë, zemërim dhe iluzione.
Filozofi si Karl Popper na kanë paralajmëruar për rrezikun e shoqërive që heqin dorë nga mendimi kritik. Aty ku argumenti zëvendësohet me fyerje, dhe debati me etiketime, e vërteta mbytet në zhurmë. Në këto rrethana, fjala e matur dhe analiza racionale margjinalizohen, ndërsa agresiviteti verbal shndërrohet në “virtyt”. Prandaj është e domosdoshme të bëhet dallimi mes kritikës dhe shkatërrimit. Kritika është themel i demokracisë vetëm kur buron nga e vërteta dhe synon përmirësimin. Ndërsa sulmet pa shkas, pa argumente, pa bazë morale dhe me tendenca çnjerëzore ndaj atyre që kontribuojnë për shoqërinë dhe kauzën kombëtare, nuk janë mendim kritik, por shprehje e varfërisë intelektuale dhe morale.
Përvoja historike na ka mësuar edhe dallimin brutal mes sistemeve politike. Në monizëm, po gabove, të ndëshkonte shteti, shpesh të tjerët vendosnin për jetën tënde. Në demokraci, përgjegjësia është individuale, po gabove, ke vrarë veten moralisht, profesionalisht dhe qytetarisht. Demokracia nuk të shkatërron trupin, por të nxjerr lakuriq para historisë dhe gjykimit publik.
Në fund, koha mbetet arbitri i fundit. Ajo nuk fal hipokrizinë, nuk harron servilizmin dhe nuk shpërblen heshtjen përballë padrejtësisë. Koha nuk ka nevojë për fjalë, ajo flet përmes pasojave. Dhe në fund të çdo epoke, secili mbetet ajo që ka qenë, ose një zë që foli kur duhej, ose një heshtje që i dha së keqes hapësirë të fitojë.


