Etem Xheladini

Kleptomania është një çrregullim mendor, ku individi, apo politikëbërsi ndjen një impuls të pa kontrolluar për të vjedhur, edhe pa pasur asnjë nevojë.
Fjala “KLEPTOMANI” vjen nga greqishtja: “klepto” – vjedh dhe “mania” – ves apo mani.
Bëhet fjalë për një ves të vazhdueshëm, të pashpjegueshëm racionalisht, që shfaqet edhe tek ata që kanë gjithçka, përfshirë edhe pasurinë marramendëse.
Një sëmundje që nuk njeh logjikë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo përshkruan më së miri sjelljen e elitave politike, në Maqedoni, Kosovë e në Shqipëri, e kudo ku politikanët tanë janë të pranishëm në pushtet, po edhe pushtetarët maqedonasë në RMV.
Kleptomanët politikë nuk vjedhin nga varfëria, por nga mania për kontroll, për pushtet të pakufijshëm, për dominim mbi sistemin.
Nuk vjedhin për bukën e gojës, por për të ruajtur një makineri të tërë manipulimi e shfrytëzimi, që i lejon shteti të vazhdojnë pa ndëshkim.
Politika në këto tre dekada është shndërruar në një arenë kleptomanësh, ku vota, fondet publike, institucionet dhe vetë fryma e demokracisë janë bërë pre e një korrupsioni e vjedhjeje sistematike.
Kjo nuk është më thjesht vjedhje, korrupsion, është kleptomani politike, e cila ka dalë jashtë çdo kontrolli e kategorie normale politike apo ligjore, ku më së miri po e dëshmojnë politikëbërsit në çdo cikël zgjedhor duke akuzuar njëri tjetrin qoftë pozitë, apo opozitë, edhe pse deri dje ishin bashkë, dhe ndanin bashkë të njejtin pushtet për të cilin e akuzojnë mër vjedhje, e korrupcion.
Në këtë realitet të errët nuk mjaftojnë më vetëm fjalët, debatet televizive apo deklaratat populiste.
Kjo “sëmundje e pushtetit” ka nevojë për diagnozë, identifikim, izolim dhe mbi të gjitha, ndërgjegjësim qytetar.
Shoqëria shqiptare, po edhe shoqëria maqedonase nuk mund të vazhdojë të bashkëjetojë me kleptomaninë, sepse këta njerëz nuk ndalen vetë, ndalen vetëm kur ndëshkohen.

sqShqip