April 28, 2024
Maqedoni

Kipper, aksion për dhurimin e gjakut

Kipper, aksion për dhurimin e gjakut Rreth gjashtëdhjetë punëtorë të administratës së Marketeve Kipper në Zhelinë të Tetovës, i janë bashkuar aksionit për dhurim të gjakut për Institutin e Transfuziologjisë. Aksioni i këtillë në kohë pandemie kur janë shtuar rastet e personave që kanë nevojë për gjak, është cilësuar si mjaft i qëlluar dhe i mirëseardhur nga Instituti. Nuk duhet asnjëherë që pacientët të presin për gjak, por njësitë e gjakut duhet të presin pacientët, është shprehur përfaqësuesi i kompanisë Kiper, i cili shtoi se, ky aksion ka për qëllim sensibilizimin e opinionit për rëndësinë që kanë aksionet e këtilla për dhurim të gjakut për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Aksionet e këtilla që kanë këtë rëndësi janë në vazhdimësi në korpusin e aktiviteteve dhe angazhimeve tona për ndërgjegjësimin e popullatës dhe që na karakterizon neve si organizatë. Falënderoj Institutin e Transfuziologjisë që na mundësoi të ndihmojmë dhe të shprehim vlerat tona etike morale e humane. Është mjaftë e rëndësishme të dihet se gjaku duhet ta pres pacientin dhe jo e kundërta”- tha Hekuran Rexhepi, jurist i kompanisë Kiper.

“Për Institutin tonë është kjo një mirënjohje e madhe por njëkohësisht edhe për pacientët të cilët e presin këtë gjak që janë në shërim e sipër apo në operime të ndryshme, pra do jetë një sukses jashtëzakonisht i madh dhe një brengë më pak për marrësit e këtij gjaku i cili sot do të mblidhet”- pohoi Ekrem Ismani – shef i repartit të transfuziologjisë Tetovë.