Kolumna

Kim Mehmeti: Të dehurit nga pushteti, të njëtë si të dehurit nga birra – i jargaviten Beogradit!

Nga Kim Mehmeti

Debati rreth ardhjes së një këngëtari serb në Korçë tregon se edhe kur niset për në Bruksel, Shqipëria nuk mund të arrijë më larg se në Beograd. Siç tregon edhe atë se shqiptaria është bërë kopsht ku rritet bima e farës së keqe, bima e mbjellë nga ‘Rilindja’ e Piktorit, e që ka të bëjë me mendësinë se civilizimi shqiptar nuk dëshmohet nëpërmjet dashurës ndaj shqiptarisë, por ndaj të huajve dhe ndaj Serbisë?!

Dhe e gjithë kjo zhurmë ka për qëllim të fsheh diçka më të dhembshme se dehja me birrën e Korçës: të vërtetën se ai që na e solli në Tiranë e Durrës Vuçiqin, e bëri Shqipërinë vend të cilin edhe s’ka kush e viziton përpos nipave të Millosheviqit. Si dhe të vërtetën se, si në të shkuarën, po ashtu edhe sot, shumë politikanë të Tiranës, kur dehen nga pushteti, me asgjë nuk dallojnë nga i dehuri nga birra: i jargaviten Beogradit.

Sidoqoftë ka diçka që ndërlidhet me ‘prapambeturin’ e neve shqiptarëve këtej kufirit: ne nuk duam ta pranojmë se për Tiranën zyrtare dhe, për disa ‘intelektualë’ të atjeshëm, patriotizmi dhe atdhedashuria jonë janë primitivizëm i neveritshëm, e që ata i bënë të ndjehen më të afërt me ‘kosmopolitët’ serb, se sa me ne?!

Dhe ne duhet t’i ‘mirëkuptojmë’ ata sepse vijnë nga terri i së djeshmes Enveriste dhe, si të tillë, ata i ka verbëruar shkëlqimi i lekut demokratik dhe nuk i lejon të shohin se civilizimi individual e kolektiv, nuk përcaktohet për nga ngjyra e brekëve që ke veshur. Dhe ata nuk e dinë atë që e dimë ne të ardhurit nga Jugosllavi e Titos: edhe në Serbinë e sotme ‘demokratike’ e të ‘civilizuar’, kurrë dhe askush nuk do grindej rreth vlerave të ndonjë shqiptari, sepse as serbi i dehur nuk do gabonte të ftonte në festival të ‘shlivovicës’ ndonjë këngëtarë nga Kosova. Sepse qofshin shkrimtarë, sportistë, këngëtarë…, civilizimin e vet ata nuk e matin nëpërmjet asaj sa janë tolerantë ndaj shqiptarëve, por sa do e dëmtojnë Kosovën dhe sa do i mbulojnë gjenocidet që u bënë në emër të këtij populli.

Ku ta dish, mbase me këtë debat ne duam ta bëjmë të padukshme të vërtetën se nuk kemi reaguar me kohë, atëherë kur Tirana e ‘Rilindjes’ u nisë udhës drejt Beogradit, duke u shtirë se nuk ekzistonte Prishtina dhe se Kosova ende është pjesë e Serbisë. Pra nuk reaguam atëherë kur ‘Rilindja’ e Piktorit e ‘përuroi’ standardin e ri civilizues shqiptarë, e që nuk ka të bëjë me atë si sillemi ndaj vetvetes, por me atë sa u jargavitemi të tjerëve, sa e pëlqejmë Cecën e Arkanit dhe sa e mbështesim ‘minishengenin’ e Vuçiqit. (Kim Mehmeti)