Kim Mehmeti: Shqiptaria është e rrezikuar nga ndikimin ruso-serb e jo nga ai turk!
Kim Mehmeti
Fushata parazgjedhore në Shqipëri i ka gjitha tiparet që ia imponon një shoqëri ku dhunën dhe përbuzjen, pushteti i ka ngritur ne vlera që shpërblehen, ku fisnikëria dhe aftësitë personale, përball kriminelit të fort e të pasur, nuk vlejnë asgjë dhe ku, mirësjellja dhe e moralshmja janë të turpshme.
Fushata parazgjedhore në Shqipëri, i ka gjitha tiparet e një shoqëri e cila edhe pas tridhjetë viteve, nuk ia ka dal ta pastrojë vetveten nga e shkuara komuniste dhe si e tillë, edhe sot shkon në zgjedhje dhe i ndjellë votuesit me ‘gjyshet’ të cilat me mall e kujtojnë Enverin, pra me ‘gjyshet’ e pandjeshme ndaj krimeve të diktatorit, i cili nuk i ka lejuar nënës që t’i qëndrojë pranë të bijës që jep shpirt.
Pra fushata parazgjedhore në Shqipëri ka gjitha tiparet e shtetit ku vjedhja e votës thuajse është institucionalizuar, ngaqë atë nuk e dënojnë gjykatat, ku pushtetarët, si hajdut e kriminelë, në kohë pandemi dhe kur qytetarët janë në gjumë, dalin dhe e rrënojnë Teatrin Kombëtarë me egërsinë me të cilën Enveri i rrënonte xhamitë dhe kishat, duke u sjellë kështu si një qytetari hajdut që donë ta shmang e jo si pushtetarë që duhet ta mbrojë ligjin.
Dhe duke i pas parasysh gjitha këto tipare, si edhe shumë shëmti tjera që janë pjesë e portretit të Shqipërisë së sotme, mëmëdheu jonë plot tetë vite me radhë është në fushat parazgjedhore, plotë tetë vite me radhë e jeton spektaklin në të cilin Kryeministri është në rolin kryesorë, e gjithë të tjerët vetëm figurantë që do flasin për të dhe do e bëjnë sa më të dukshme madhështinë e tij.
Duke i pasur parasysh gjitha këto që u thanë më lartë, s’ka si mos pranohet se Shqipëria e ka thuajse të pamundur ta kthejë qetësinë dhe besimin në vetvete, pa të cilat nuk mund të ketë as fushata normale parazgjedhore e as votë që e posedon votuesi.
Dhe duke qenë Shqipëri e paaftë të organizojë fushata normale parazgjedhore, asaj edhe i ndodh që të huajt t’i tregojnë se ndikimi i cilit shtet të huaj atë e rrezikon më shumë. Por ndërkohë duke mos treguar se si e përcaktojnë atë ndikim, duke u shtirë se nuk e shohin që këtë pjesë të Ballkanit asgjë nuk e rrezikon aq shumë sa ndikimi serbo-rus.
Dhe Shqipëria është nën ndikimin serbo-rus, ndikim të cilin e lehtëson boshti Athinë-Shkup-Beograd, i lidhur me hekurudha dhe autostrada moderne, për dallim nga korridori i tetë, pra boshti Stamboll-Sofje-Shkup -Tiranë, që e lidhin rrugët e para njëqind viteve, rrugë nëpër të cilat nuk mund të kalojnë njëri pranë tjetrit as dy gomar të ngarkuar.
Andaj mbetet e paqartë pse kjo nuk u pengon disa qarqeve të BE-së, pse aq shumë ato brengosen nga ndikimi turk që e rrezikon shqiptarinë dhe pse aq shumë duan që ne shqiptarët t’i luftojmë perandorit e vdekura? Mbase pse ka qarqe evropiane, të cilave, sa herë që ua përmend Turqinë, atyre u faniten jeniçerët që e kanë rrethuar Vjenën dhe që e rrezikojë Evropën e krishterë.
Pra mbetet e paqartë pse kërkojnë nga ne të harrojmë se, për shembull, se sikur mos ishte Turqia, në vitin 1997, një shtet fqinjë dhe anëtar i BE-së, do arrinte me ushtrinë e vet deri në Vlorë, e kjo thujase fare nuk i pengoi BE-së.
Sa i përket ndikimit turk, ne duhet ta pranojmë se edhe nuk mund t’i shpëtojmë atij ‘ndikimi’, sepse me shekuj kemi jetuar bashkë me popullin turk, sepse pjesa më e madhe e popullit tonë ka fenë që ka edhe populli turk, se kemi bakllavën turke, se në traditën tonë ka shumë elemente orientale, e që me asgjë nuk na bëjnë më pak evropian se cilido popull tjetër i këtij kontinenti.