May 24, 2024
Kolumna

Kim Mehmeti: Disa funksionarë të BDI’së – o më të ndershmit e kësaj bote, o hajdutë më të shkathët të Ballkanit?!

Nga Kim Mehmeti

Më pyesin pse disa funksionarë të partive tjera shkojnë në paraburgim posa akuzohen për hajdutëri, apo shkelje ligjore, ndërkaq këta të BDI-së nuk i kap ligji edhe kur pasurohen brenda natës?!

Kjo dukuri ka vetëm dy shpjegime logjike: ose funksionarët e BDI-së janë më të ndershmit në Maqedoni e në Ballkan – çka duhet të na bëjë krenarë të gjithë neve shqiptarëve të këtushëm, ose funksionarët e përjetshëm të kësaj partie – që rrotullohen nëpër kabinetet ministrore gjatë dy dekadave të fundit – aq mirë e kanë ‘qëndisur’ ombrellën mbrojtëse institucionale, sa ajo i bënë të paprekshëm e të pandëshkueshëm hajdutët dhe kriminelët e kësaj partie.

Andaj nëse ka ndonjë të vërtet në pohimet se BDI’ja nuk i jep hajdutët dhe kriminelët e vet, atëherë do del puna se gabimi më i madh që ka bërë sekretari i përgjithshëm shqiptar i Qeverisë – që përfundoi në paraburgim, si i akuzuar për hajni – është se e ka gabuar partinë!

Por, nëse është e paqartë se çka i bënë të paprekshëm disa funksionarë të BDI’së, një gjë është e sigurt: qofshin më të ndershmit e kësaj bote, qofshin hajdutë më të shkathtë të Ballklanit, ata nuk e kanë të lehtë.

Nuk e kanë të lehtë sepse, siç është e rëndë të mbrosh ndershmërinë duke bashkëpunuar me hajdutët e partive tjera, po aq peshon edhe hajnia që duhet ta mbulosh me ndershmëri të rrejshme! (Kim Mehmeti)